Samiti më shumë propagandë se zgjidhje? Pjesëmarrësja: Më shumë kishte nga Shqipëria se nga Diaspora
Samiti i Diasporës, i cili mblodhi në Tiranë përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga e gjithë bota, u shoqërua me debate dhe kritika lidhur me efektivitetin dhe qëllimin e tij të vërtetë.
Ndërsa në panelet e shumta u diskutua për tema si identiteti, gjuha dhe kontributi i diasporës, zëra kritikë nga vetë pjesëmarrësit ngritën shqetësimin se eventi rrezikonte të shndërrohej më shumë në një platformë propagande sesa në një forum për zgjidhjen e problemeve reale.
Një nga kritikat kryesore të artikuluara në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” nga autorja dhe mësuesja e shqipes në Diasporë, Anila Kadija ishte mungesa e balancës në përfaqësimin e folësve në panele.
Në cilësinë e dëshmitares në sallonin e Samitit, Kadija tha se aty kishte një dominim të përfaqësuesve nga Shqipëria në krahasim me ata të diasporës, pikërisht grupit të cilit i dedikohej samiti.
“Panelet nuk ishin të vendosura në mënyrë të atillë që të paktën të ishte 50 me 50 për qind përfaqësim nga diaspora dhe nga punonjësit në Shqipëri”, u shpreh ajo.
Ky çekuilibër, sipas saj, minon thelbin e një dialogu të sinqertë. Ajo argumentoi se diaspora ka një specifikë të veçantë, pasi i jeton realisht sfidat dhe mundësitë jashtë vendit.
Prandaj, çdo ide, model apo zgjidhje që vjen prej tyre, buron nga një përvojë e drejtpërdrejtë. “Një ide nga diaspora vjen nga një burim i cili e njeh mirë terrenin, problematikat, dinamikën dhe kërkesat e diasporës”, theksoi ajo.
Pjesëmarrësja kritikoi dinamikën e komunikimit, duke sugjeruar se roli i diasporës nuk duhet të kufizohet vetëm në të ngriturit e dorës për të bërë pyetje.
Përkundrazi, tha Kadija, institucionet duhet të jenë ato që kërkojnë në mënyrë aktive mendimin dhe ekspertizën e tyre. “Për të bërë diçka reale me diasporën, duhet ta dëgjosh atë”, ishte mesazhi i saj i qartë.
Këto vërejtje hedhin dritë mbi një perceptim më të gjerë se diaspora shpesh shihet si një element dekorativ apo si një elektorat që kujtohet vetëm në prag të zgjedhjeve, veçanërisht tani që e drejta e votës për ta është bërë realitet ligjor.
Mbetet pikëpyetje nëse forume të tilla do të shërbejnë si ura të vërteta lidhëse apo do të mbeten në kuadrin e takimeve formale pa impakt konkret.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË

