Dhuka: Diaspora, partner kyç për integrimin europian dhe transformimin e Shqipërisë
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatore e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, Majlinda Dhuka, deklaroi sot në Samitin e IV të Diasporës se Shqipëria ndodhet në një moment kyç dhe historik në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e saj në panelin “Diaspora shqiptare si partner mbështetës për integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, Dhuka theksoi se, objektivi “Shqipëria 2030 në BE” tashmë është një projekt konkret dhe i realizueshëm.
Ajo bëri të ditur se vendi ka kaluar nga faza përgatitore në atë të negociatave intensive, duke çelur bisedimet me BE-në në 33 fusha të njohura si kapituj, ndërsa aktualisht Shqipëria është e angazhuar në procesin e negociimit për anëtarësim.
“Sot po punojmë për përmbushjen e kushteve dhe për të kaluar në fazën e mbylljes së negociatave për secilin kapitull. Ky proces përfaqëson jo vetëm integrimin, por edhe një transformim të thellë europian për vendin”, u shpreh Dhuka.
Duke e krahasuar këtë proces me transformimin demokratik të viteve ’90, ajo theksoi se diaspora shqiptare është një faktor i pazëvendësueshëm në këtë rrugëtim.
“Diaspora është energjia jonë në këtë transformim. Kemi nevojë për eksperiencën, njohuritë, inovacionin dhe standardet që ju sillni nga vendet e BE-së”, u shpreh ajo, duke i ftuar bashkatdhetarët të kontribuojnë aktivisht në procesin e integrimit.
Dhuka nënvizoi gjithashtu nevojën për mbështetje më të gjerë nga qytetarët e vendeve anëtare të BE-së, duke iu bërë thirrje diasporës që të ndikojë pozitivisht në perceptimin ndaj Shqipërisë.
“Fitoni zemra për Shqipërinë, thyeni paragjykimet dhe rrëzoni barrierat që na ndajnë nga familja europiane”, apeloi ajo.
Paneli, i organizuar nën kujdesin e Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatorit, synon të trajtojë në mënyrë të strukturuar rolin e diasporës si një aktor strategjik në përshpejtimin e integrimit evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Diskutimet u përqendruan në identifikimin e prioriteteve ku kontributi i diasporës mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë, si dhe në integrimin e këtij potenciali në politikat publike dhe proceset e përafrimit me Bashkimin Europian, me synim një qasje të koordinuar dhe mekanizma të qëndrueshëm e të matshëm.

