Gjonaj zbulon arsyen tronditëse: Ja pse martesat e të rinjve po dështojnë kaq shpejt

Ndërkohë që debati publik shpesh fokusohet tek rritja e numrit të divorceve si një tregues i krizës së familjes, një këndvështrim i ri nga avokatja Eranda Gjonaj në "Ora News", sugjeron se shifrat mund të jenë mashtruese.

Sipas saj, një fenomen i ri po ndikon statistikat: martesat fiktive për arsye dokumentesh, të cilat po bëhen një dukuri gjithnjë e më e përhapur mes të rinjve.

"Njerëzit po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt individualizmit.

E kemi kaluar nga një shoqëri me një konceptim shumë kolektiv, një shoqëri kolektive, tek drejt një shoqërie shumë herë më individualiste dhe kjo pasqyrohet më shumë tek të rinjtë, sepse të rinjtë e kanë mendësinë ende në formim.

Dhe nuk mund të themi të njëjtën gjë për brezat pak më të vjetër, po themi kështu, për moshat, mbi 30 apo mbi 40.

Nëse flasim për numrin e divorceve, në perceptimin tim si avokate dhe nga eksperienca, nuk është se po divorcohen më shumë të rinjtë.

Ato që po divorcohen janë personat që mund të jenë martuar para 10 apo 20 vitesh, por të rinjtë po martohen më pak, ose në rastet kur ka një martesë, që mund të jetë në moshë të hershme, dhe po flas këtu para të 30-ve, sepse ajo konsiderohet sot një moshë e hershme për martesë.

Po, martesat po zgjasin më pak. Dua të them, përveç kushteve sociale dhe ekonomike, që ndikojnë, dua të them edhe që këto statistika mund të kenë, mund të jenë pak të dhëna artificiale, po e them kështu në thonjëza, sepse sot ndodh dhe një fenomen që shumë të rinj po martohen për arsye të përgatitjes së dokumentave.

Dhe po ndahen përsëri si rezultat i kësaj, sepse martesa ka qenë fiktive. E kemi dhe këtë dukuri sot. Shumë të rinj që martohen, madje disa kërkojnë që e shpallin martesën të pavlefshme dhe jo divorc, për t'u rikthyer në statusin beqar që kanë patur. Dhe ky është një fenomen në rritje. Është një fenomen që mund të jetë dhe në kulmin e vet tashmë. Prandaj them që këto të dhënat, unë në përgjithësi statistikat i shikoj vetëm si shifra, por që nuk pasqyrojnë realitetin në thelbin e vet", u shpreh Gjonaj.

Ndiqni intervistën e plotë: