Vata: Ndërmjetësimi, zgjidhja më e shpejtë për konfliktet në çift

E ftuar në emisionin Epiqendër, të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, avokatja Brisilda Vata ka folur mbi proçeset gjyqësore dhe pasojat që ato sjellin për qytetarët, duke u ndalur veçanërisht te rëndësia e ndërmjetësimit ligjor.

Gjatë bisedës, Vata theksoi se një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është paraqitja e palëve pranë një ndërmjetësi ligjor.

Sipas saj, kjo praktikë është më e drejtë dhe më e pranueshme për të dyja palët, pasi shmang përballjet e gjata në gjykatë dhe redukton kostot dhe kohën e procesit.

Ajo nënvizoi se Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë i ka dhënë prioritet ndërmjetësimit ligjor, duke e konsideruar atë si një mekanizëm të rëndësishëm për lehtësimin e sistemit gjyqësor.

Në këtë kuadër, palët kanë mundësinë të hartojnë një aktmarrëveshje, e cila pranohet nga të dyja dhe më pas njihet nga gjykata në një kohë më të shkurtër. Sipas Vatës, kjo qasje ndihmon në përshpejtimin e proçedurave dhe në uljen e ngarkesës së gjykatave.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”