Zbulohet sekreti i trurit të shëndetshëm/ Ja dieta bimore që ul ndjeshëm rrezikun e demencës
Një studim i ri tregon se mënyra e të ushqyerit ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e trurit, edhe në moshë më të madhe.
Sipas kërkimit, konsumimi i ushqimeve bimore cilësore, si drithërat integrale, frutat dhe perimet, mund të ulë rrezikun për demencë dhe probleme njohëse, edhe nëse kjo mënyrë ushqyerjeje nis pas të 50-ave.
Studimi është kryer mbi rreth 93 mijë persona me moshë mesatare 59 vjeç dhe ka analizuar ndryshimet në dietë për një periudhë 10-vjeçare.
Rezultatet tregojnë se ata që përmirësuan ushqimin e tyre ulën rrezikun për demencë me rreth 11%. Nga ana tjetër, personat që konsumonin më shumë ushqime bimore jo të shëndetshme, si produkte me sheqer të shtuar apo drithëra të rafinuara, kishin rrezik më të lartë.
Studiuesit sqarojnë se jo çdo dietë bimore është e dobishme. Ushqimet si buka e bardhë apo produktet e përpunuara mund të ndikojnë negativisht në organizëm, duke rritur nivelin e sheqerit në gjak dhe duke dëmtuar shëndetin e trurit.
Përveç ndikimit në funksionin njohës, një dietë e shëndetshme bimore lidhet edhe me përfitime të tjera, si ulja e rrezikut për sëmundje të zemrës, diabet dhe tension të lartë, si dhe ndihmon në mbajtjen nën kontroll të peshës trupore.
Ekspertët nënvizojnë se rëndësi ka jo vetëm të konsumohen ushqime bimore, por të zgjidhen ato të shëndetshme dhe të pasura me vlera ushqyese.

