Darka nuk është 'armiku' i dietës suaj/ Ja pse mosngrënia e këtij vakti ju bën të shtoni peshë
Shumë persona mendojnë se duke mos ngrënë darkë mund të humbin më lehtë peshë, por në fakt kjo mënyrë ushqyerjeje nuk jep rezultatet e pritura.
Sipas specialistëve, anashkalimi i vakteve shpesh çon në uri të fortë më vonë, duke rritur rrezikun për të ngrënë më shumë se sa duhet.
Kur trupi mbetet për një kohë të gjatë pa ushqim, metabolizmi ngadalësohet dhe nivelet e energjisë luhaten.
Kjo ndikon jo vetëm në peshë, por edhe në mënyrën si funksionon organizmi gjatë ditës. Edhe ideja që nuk duhet ngrënë pas orës 18:00 nuk është e përshtatshme për të gjithë, sidomos për ata që flenë vonë.
Darka mbetet një vakt i rëndësishëm dhe duhet të konsumohet në mënyrë të balancuar.
Ndryshe nga mëngjesi, i cili duhet të jetë më i pasur me karbohidrate, darka rekomandohet të përmbajë më shumë proteina, pasi ato ndihmojnë në ndjesinë e ngopjes.
Ekspertët sugjerojnë që darka të konsumohet rreth 2 deri në 3 orë para gjumit. Sa i përket ushqimeve, zgjedhje të mira janë mishi i bardhë, peshku, të bardhat e vezëve, si dhe sallatat dhe perimet e freskëta. Karbohidratet nuk duhen shmangur plotësisht, por duhet të jenë në sasi më të vogla dhe të zgjidhen ato komplekse, si drithërat dhe bishtajoret.
Në këtë mënyrë, një darkë e rregullt dhe e balancuar ndihmon jo vetëm në kontrollin e peshës, por edhe në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.

