EMRI/ K*rcënoi me jetë moderatorin Alaudin Hamiti, i akuzuari pranon fajin në gjykatë
I akuzuari për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti ka pranuar fajësinë në gjykatë.
Gjatë seancës fillestare, Liman Berisha pranoi akuzën pasi u lexua nga prokurori Arian Frrokaj. Ai tha se ndihet fajtor për veprimin dhe kërkoi falje për atë që ka ndodhur, duke shtuar se nuk ka pasur qëllim të dëmtojë moderatorin.
Avokati i tij, Gojart Zymberi, mbështeti këtë qëndrim dhe sqaroi se bëhet fjalë për një reagim emocional, pa rrezik real. Ai kërkoi që klienti i tij të trajtohet me një dënim sa më të lehtë dhe t’i hiqet masa e arrestit shtëpiak.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja ligjore e palës së dëmtuar, Blinera Osmani, u shpreh se kërcënimi ka shkaktuar frikë dhe pasiguri tek Hamiti, duke ndikuar në gjendjen e tij emocionale dhe jetën e përditshme.
Edhe vetë Hamiti tha se nuk e njeh të akuzuarin dhe nuk ka pasur asnjë konflikt me të, duke kërkuar të dijë arsyen e kërcënimit.
Pranimi i fajësisë u miratua nga gjyqtari Eroll Gashi, ndërsa vendimi përfundimtar dhe masa e arrestit shtëpiak do të jepen në shpalljen e aktgjykimit.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në nëntor 2024 në rrjetin social Facebook, ku i akuzuari ka dërguar mesazhe kërcënuese ndaj moderatorit. Për këtë rast, ai përballet me akuzën për veprën penale “kanosje”.

