“Avokati i Vuçiçit dhe armik i Kosovës”/ Berisha: Rama loboi kundër Kosovës në BE

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur qëndrimin e tij me politikat e Serbisë dhe Rusisë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se Rama është rreshtuar në mbrojtje të presidentit serb Aleksander Vuçiç, sidomos pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Sipas tij, në një kohë kur Bashkimi Europian dhe NATO vendosën sanksione ndaj Rusisë, Rama ka kundërshtuar që të njëjtat masa t’i kërkoheshin edhe Serbisë.

Një tjetër pikë që ai ngriti lidhet me çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Berisha tha se ky projekt rrezikon të cenojë pavarësinë e Kosovës dhe se është mbështetur nga Rama.

Ai shtoi gjithashtu se kryeministri shqiptar ka pasur qëndrime të ashpra ndaj institucioneve të Kosovës, duke përmendur edhe vendosjen e masave ndaj qeverisë së saj dhe deklarata që, sipas tij, kanë qenë në dëm të vendit.

Në fund, Berisha përmendi edhe konfliktin ligjor të mëparshëm mes Ramës dhe ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, duke e cilësuar si një veprim të paprecedentë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

KONFERENCA PËR MEDIAT: