SI PËRFITOHET NGA SKEMA E BUJQËSISË?/ Fermerët e blegtorët të paqartë, eksperti: Më shumë informim
Vonesa në publikimin e vendimit dhe udhëzimeve përkatëse nga institucionet përgjegjëse ka lënë shumë fermerë të paqartë për mënyrën se si duhet të orientohen në punët e tyre bujqësore.
Kështu shprehet në një intervistë për Ora News eksperti i bujqësisë, Gjok Vuksani, sipas të cilit mungesa e informacionit mbi skemat e subvencioneve ka ndikuar drejtpërdrejt në planifikimin e fermerëve.
Ndërkohë, ndryshimet për uljen e pragut minimal për bagëtitë në skemat mbështetëse për blegtorinë, sipas ekspertit, janë një lëvizje në drejtimin e duhur, pasi e bëjnë skemën më të aksesueshme për fermerët e vegjël.
Megjithatë, ai vëren se problem mbetet rënia e ndjeshme e numrit të bagëtive në vend gjatë viteve të fundit, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin real të skemës.
Një tjetër shqetësim lidhet me rritjen e kostove për blegtorët.
Çmimet e ushqimit për bagëti, si bari i thatë, jonxha dhe koncentrati, janë rritur ndjeshëm, duke e bërë mbështetjen financiare të pamjaftueshme.
Ndërsa skemat synojnë të nxisin zhvillimin e blegtorisë, ekspertët vlerësojnë se, përveç rritjes së subvencioneve, nevojitet edhe stabilitet dhe kohë e duhur në vendimmarrje, në mënyrë që fermerët të kenë siguri dhe të planifikojnë më mirë të ardhmen e tyre.

