Blushi: Ejani në seancën e 27 prillit, transparenca do të tregojë të vërtetën për Metën
Blushi: Atje do të jemi, më 27 prill, si në çdo seancë, dhe i ftoj të gjithë analistët dhe gazetarët, që janë mashtruar me falsifikime, të vijnë dhe të shohin nëse ka një qindarkë të paligjshme Ilir Meta.
Atje në çdo seancë, meqenëse edhe dhjetëra kërkesa të gazetarëve për intervista me Presidentin Meta janë refuzuar, e drejtë që nuk ju është mohuar as kundershtarëve të Putinit në Rusi.
Ejani për të parë se si DIA është 100% krijesë amerikane dhe bashkëpunëtore me Edi Ramën për t'i falur 479 milion euro CEZ-it, aferë shumë e rëndë, për të cilën KLSH ka bërë edhe kallëzim në Prokurori, ku dosja ende "fle" dhe nuk hetohet as sot e kësaj dite.
Ejani të shihni dhe letërporositë se si janë formuluar me gënjeshtra për të fshehur të vërtetat!
Transparenca është e vërteta.
Mos mungoni në asnjë seancë për të mos humbur perlat e çmontimit të një procesi farsë, politik dhe kriminal ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë.
Postimi i Ilir Metës
Përshëndes caktimin e 27 Prillit si datën e nisjes së gjykimit tim në themel!
Do të jem atje, në çdo seancë, në respekt të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që kam patur nderin t’ju shërbej në tre detyrat më të larta shtetërore, të Presidentit të Republikës, të Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit.
Falenderoj dhjetëra gazetarë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për të më intervistuar gjatë këtyre 19 muajve të rrëmbimit tim banditesk, e drejtë që nuk ju është mohuar as kundershtarëve të Putinit në Rusi.
I mirëpres të gjithë gazetarët dhe analistët më 27 prill në seancën e parë dhe i ftoj të jenë të pranishëm në çdo seancë.
Dihet se ku e ka selinë korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri, atje ku ka hyrë Charles McGonigal dhe përfaqësuesi i Sinaloa-s.
Por ata që ende nuk kanë gjetur guximin ta marrin njëherë në pyetje Kryetarin e Organizatës, natyrisht që do të firmosnin rrëmbimin tim kriminal që e pa e gjithë bota.
Ejani më 27 prill të shikoni se si u justifikua ky rrëmbim mafioz bazuar vetëm mbi gënjeshtra dhe falsifikime.
Ejani të gjithë të shikoni se si DIA ishte një krijesë jo vetëm de facto, por edhe de jure amerikane!
Ejani të shikoni se si letërporositë janë nisur vetëm me qëllime mashtrimi të autoriteteve amerikane dhe të tjera!
Ejani për të mos humbur perlat e çmontimit të një procesi farsë, që do të nxjerrë në dritë të diellit se si Ramaforma është shndërruar në një “mundësi të madhe” vetëm për Kryekleptokratin e Tiranës dhe ndërkombëtarët e korruptuar si Charles McGonigal.
