"Me kë tallen?" Nafta i sjell fermerët në Tiranë, Qeveria kërkon të marrë kohë deri në shtator, shpërthen revolta te dera e Ministrisë

Tensioni dhe pakënaqësia e thellë dominuan takimin mes blegtorëve protestues dhe zyrtarëve qeveritarë. Megjithëse qeveria premtoi masa për tregun e qumështit dhe subvencione, fermerët i hodhën poshtë, duke i konsideruar të pamjaftueshme dhe me afate të papranueshme.

Mes premtimeve ishin etiketimi i detyrueshëm i qumështit, ngritja e laboratorëve modernë për kontrollin e cilësisë, formalizimi i tregut dhe rimbursimi 10% për faturat. Por pikë e nxehtë mbeti rishikimi i subvencioneve që pritet të nisë vetëm nga muaji shtator. “Çfarë të bëjmë deri në shtator? Ne duam zgjidhje sot!” – u shprehën fermerët.

Një blegtore theksoi vështirësitë ekonomike: “Një lindje lope kushton 5 mijë lekë veterineri, një sëmundje 100 mijë lekë. Këta na japin 120 mijë lekë të vjetra për lopë. Me kë tallen? Po na pështyjnë në surrat.”

Fermerët ndihen të diskriminuar krahasuar me vendet e rajonit, si Serbia, ku mbështetja financiare është shumë herë më e lartë. Ata paralajmëruan për përshkallëzim të protestave dhe nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre deri sa të marrin zgjidhje reale.