"UBT ka trajnuar fermerët në të gjitha qarqet"/ Kapaj: Përvoja na bëri të kuptojmë se cilat janë problemet reale
I ftuar në emisionin “Alert”, zëvendësrektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Ilir Kapaj, ka folur për skemën e re të mbështetjes në bujqësi për vitin 2026, e cila vjen me një buxhet më të lartë dhe me fokus te nevojat reale të fermerëve.
Sipas tij, Universiteti Bujqësor ka pasur një rol të rëndësishëm në hartimin e kësaj skeme, përmes trajnimeve dhe kontakteve të drejtpërdrejta me fermerët në të gjithë vendin.
“Universiteti Bujqësor ka trajnuar fermerët në të gjitha qarqet dhe kjo eksperiencë na ka ndihmuar të kuptojmë se cilat janë problemet reale që duhen përmirësuar në skemat mbështetëse.”- tha ai.
Skema për vitin 2026 parashikon një fond prej 5.2 miliardë lekësh, më i lartë se një vit më parë, duke synuar rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe mbështetjen e fermerëve.
Një nga risitë kryesore është mbështetja për blegtorinë, sidomos për bagëtitë e imta. Për këtë sektor parashikohet financim deri në 3 milionë lekë për subjekt, për përmirësimin e kushteve dhe ndërtimin e stallave.
“Mbështetja për blegtorinë, sidomos për të imtat, është shumë e rëndësishme, pasi ka pasur rënie të numrit të krerëve dhe kjo skemë pritet të japë ndikim të drejtpërdrejtë.”- u shpreh zëvëndësrektor.
Një tjetër element i rëndësishëm është mbështetja për mekanikën e lehtë bujqësore, që synon të ndihmojë fermat e vogla dhe të mesme për të rritur prodhimin.
Skema është ndërtuar mbi sugjerimet e fermerëve dhe pritet të japë një shtysë të re për zhvillimin e bujqësisë në vend.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ALERT" NË ORA NEWS:

