"10 mijë euro për fermerët"/ Guri: Skema mbështetet në dy shtylla, rritja e kapacitetit prodhues dhe mbështetje për të ardhurat

I ftuar në emisionin “Alert”, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, ka dhënë detaje mbi skemën e re të mbështetjes për vitin 2026, që synon të afrojë të rinjtë në bujqësi dhe të rrisë investimet në sektor.

Sipas tij, një nga risitë kryesore është një grant prej 10 mijë eurosh për fermerët e rinj, i cili synon të lehtësojë nisjen ose zgjerimin e aktivitetit, veçanërisht në blegtori.

“10.000 euro grant për fermerët e rinj që ndihmojnë për rritjen e investimeve të tyre bujqësore, pa specifikuar një sektor të vetëm, por me fokus edhe te blegtoria.”-tha Guri.

Granti do t’u jepet të rinjve në moshë, që kanë tashmë një lidhje me bujqësinë, si ata që kanë punuar në fermat familjare dhe duan të vazhdojnë aktivitetin. Mosha e përfituesve pritet të jetë rreth 35-40 vjeç.

Një tjetër element i skemës është fondi prej 2.5 miliardë lekësh për investime, që do të mbështesë aplikimet e mbledhura që nga viti 2025, por edhe një thirrje të re për grupe të veçanta, ku përfshihen sërish të rinjtë.

“Skema mbështetet në dy shtylla, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe mbështetjen direkte për stabilizimin e të ardhurave të fermerëve.”- u shpreh ai.

Skema është ndërtuar pas një serie takimesh me fermerë në të gjithë vendin dhe synon ta bëjë më të lehtë përfshirjen e të rinjve në bujqësi, duke ndjekur modele të ngjashme me ato të Bashkimit Europian.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ALERT" NË ORA NEWS: