"Meta i pafajshëm në aferën CEZ-DIA"/ Blushi: Përgjegjësi i vetëm për dëmin prej 479 mln euro të CEZ-it është kryeministri
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, njoftoi sot se avokatët e Presidentit Ilir Meta kanë paraqitur prova dhe dëshmi zyrtare që tregojnë se Meta nuk ka lidhje me aferën CEZ-DIA.
Blushi bëri të ditur se dëshmitë e dy përfaqësuesve më të lartë çekë të CEZ-it, Josef Hejsek dhe Tomas Pleskaç, konfirmojnë se Meta nuk përmendet në asnjë dokument apo provë të lidhur me këtë çështje.
Dëshmitë tregojnë se kontrata CEZ-DIA u negocua dhe u finalizua nga Dritan Prifti, i cili atëkohë ishte ministër i Ekonomisë.
Sipas Blushit, hetimi gjashtëvjeçar kundër Metës nuk ka gjetur asnjë fakt penal dhe akuzat ishin të bazuara në kallëzime të dyshimta.
Ai shtoi se përgjegjës për dëm ekonomik në këtë rast mbetet Edi Rama, i cili sipas tij i ka dhënë 479 milion euro CEZ-it, pa u ndjekur penalisht.
Blushi tha se drejtësia duhet të veprojë dhe askush nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për aferat e mëdha financiare në vend.

