SHQIPËRIA NËN K*RCËNIMIN E IRANIT?/ Kapri: Opozita iraniane në vendin tonë rrezik për sigurinë kombëtare

Në një intervistë ekskluzive për Ora News, deputeti Erald Kapri nga Partia “Mundësia” foli për situatën e sigurisë kombëtare dhe kërcënimet që vijnë nga Irani për Shqipërinë.

Ai e përshkroi vendin tonë si një objektiv të veçantë për shkak të vendimit për të strehuar opozitën iraniane, grupin MEK, në Manzë të Durrësit.

“Shqipëria ndodhet në një situatë të veçantë sepse kemi një pjesë të opozitës iraniane në vendin tonë. Kjo ka vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes së Teheranit dhe rrit rrezikun për sigurinë kombëtare.”-tha ai.

Ai shtoi se Irani ka kapacitete të gjera dhe grupe inteligjence të fuqishme, ndërsa retorika e këtij vendi kundër Shqipërisë ka qenë gjithmonë e ashpër. Kapri kujtoi se më parë janë parandaluar tentativa të mundshme për sulme terroriste në territorin shqiptar, të inicuara nga Teherani.

“Ky është një fakt që ka qenë i njohur në mënyrë joformale, por tregon qartë se kërcënimi nuk është thjesht retorikë, por diçka reale dhe e vazhdueshme.”- shtoi Kapri.

Deputeti u shpreh gjithashtu se situata kërkon vëmendje të vazhdueshme dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur sigurinë e vendit.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: