Banka e Shqipërisë: Rritet besimi i biznesit në ekonomi
Besimi në ekonomi ka shënuar rritje në muajin mars, sipas raportit të Treguesit të Ndjesisë Ekonomike (TNE), të publikuar sot nga Banka e Shqipërisë.
Treguesi u rrit me 0,6 pikë, kryesisht për shkak të përmirësimit të besimit në sektorin e tregtisë, ndërsa niveli i TNE-së qëndron rreth 8 pikë mbi mesataren historike.
Sektori i industrisë regjistroi rënie në besim. Treguesi i Besimit të Industrisë (TBI) u ul me 2,4 pikë përqindje pas një periudhe pesëmujore rritjeje. Rënia u ndikua nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për prodhimin industrial dhe ecurinë e kontratave porositëse nga eksportet, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen u rritën ndjeshëm. Megjithatë, niveli i TBI-së qëndron rreth 7 pikë mbi mesataren historike.
Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) u ul me 4 pikë përqindje në mars, i ndikuar nga vlerësimi i aktivitetit ndërtues dhe porositë aktuale. Pritjet për çmimet në të ardhmen shënuan rritje të theksuar, ndërsa niveli i TBN-së është rreth 6 pikë mbi mesataren historike.
Në sektorin e shërbimeve, Treguesi i Besimit në Shërbime (TBSH) u ul lehtë me 0,5 pikë përqindje, por qëndron ndjeshëm mbi mesataren historike (+11 pikë). Rënia e TBSH-së u ndikua nga vlerësimi i biznesit për nivelin e kërkesës dhe ecurinë aktuale të aktivitetit, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen u rritën ndjeshëm.
Ndërkohë, Treguesi i Besimit në Tregti (TBT) shënoi rritje të ndjeshme, me 7,6 pikë përqindje në mars, duke qenë rreth 17 pikë mbi mesataren historike. Rritja u ndikua nga pritjet dhe vlerësimet optimiste të bizneseve për shitjet dhe nivelin e punësimit në të ardhmen, ndërsa pritjet për çmimet u rritën gjithashtu.
Nga ana tjetër, Treguesi i Besimit të Konsumatorit (TBK) u ul me 2,1 pikë përqindje, duke rënë poshtë mesatares historike me 1,2 pikë. Rënia u ndikua nga pritjet për gjendjen financiare personale dhe situatën ekonomike në të ardhmen, ndërsa situata për blerjet e mëdha dha një kontribut pozitiv në TBK.
Raporti i Bankës së Shqipërisë tregon se, megjithëse disa sektorë regjistrojnë rënie të besimit, treguesi i përgjithshëm i ndjesisë ekonomike mbetet mbi nivelin historik, duke reflektuar një klimë ekonomike relativisht të qëndrueshme dhe me pritshmëri pozitive në disa degë kryesore.

