Skema bujqësore 2026/ Nafta nuk është më subvencion, qeveria jep para direkt për tokën e mbjellë! Salla: 5.2 mld lek për fermerët
Fermerët nuk do të marrin më naftë pa taksa, siç ndodhte që nga viti 2021, por për herë të parë do të përfitojnë një pagesë direkte prej 100 euro për çdo hektar tokë të kultivuar, kur sipërfaqja e mbjellë shkon mbi 3 hektarë.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, sqaroi ndryshimin në skemën kombëtare të bujqësisë për vitin 2026, tashmë të miratuar nga qeveria, duke e cilësuar atë më gjithëpërfshirëse.
Ky ndryshim vjen në një kohë kur çmimi i naftës në vend ka shënuar rritje si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme. Megjithatë, Ministri i Bujqësisë mbrojti politikën e re të subvencioneve, duke thënë se ajo u jep fermerëve më shumë mundësi për të ulur kostot e prodhimit. Rritja e çmimeve të plehrave kimike mbetet një tjetër shqetësim për fermerët.
Fondi paraprak për bujqësinë është 5.2 miliardë lekë. Për herë të parë, parashikohet mbështetje për mbarështuesit e derrave, ku çdo kokë do të subvencionohet me 7 mijë lekë në fermat me jo më pak se 5 krerë. Mbështetja për gjedhët, bagëtitë e imta dhe bletët është rritur, ndërsa kriteret për përfituesit janë përgjysmuar.
Salla nënvizoi se synimi është forcimi i sektorit bujqësor përmes zgjerimit të numrit të përfituesve dhe përafrimit gradual me standardet e Bashkimit Evropian.
Ministri shpalli gjithashtu lajme të mira për fermerët e dëmtuar nga zjarret, përmbytjet apo sëmundjet që preku gjedhët. Skema parashikon mbështetje për investime në sera, blegtori, vreshta, mekanikë bujqësore, agropërpunim dhe agroturizëm, me fokus të veçantë te fermerët e rinj, të cilët do të përfitojnë grante deri në 10 mijë euro.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se së shpejti do të hapë mundësinë për aplikim për rikthimin e fondeve IPARD dhe do të njoftojë afatet për fermerët për të përfituar nga skema kombëtare e bujqësisë.

