Xhixho: Çmimet e ushqimeve rriten deri në 50%, qeveria ka dështuar me politikat ekonomike
Deputetja Erisa Xhixho ka ngritur alarmin për rritjen e ndjeshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe naftës, duke akuzuar qeverinë për politika të dështuara që, sipas saj, po rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët shqiptarë.
"Çmimet e ushqimeve po rriten me 50% brenda pak ditësh duke goditur drejtpërdrejt çdo familje shqiptare.
Domatet- Nga 200 lekë në 320 lekë për Kg
Soecat- Nga 280 lekë në 320 lekë
Barbunjat - Nga 250 lek në 500 lekë
Rritje të ndjeshme për miellin, vajin dhe sheqerin.
Kjo nuk është thjesht një valë inflacioni. Kjo është pasojë direkte e një politike të dështuar ekonomike.
Rritja e çmimit të naftës dha efektin zinxhir që pritej: çdo produkt u shtrenjtua menjëherë. Dhe ndërkohë që qytetarët përballen me këtë krizë të përditshme, Ministrja e Ekonomisë del dhe deklaron se shteti nuk mund të ndërhyjë në çmime, duke u fshehur pas justifikimit të “ekonomisë së tregut”.
E vërteta është se kjo nuk është më ekonomi tregu. Kjo është një ekonomi që funksionon sipas interesave të një pakice dhe jo të qytetarëve.
Ku mungon konkurrenca pasi ajo është zëvendësuar me klientelizëm dhe oligarki.
Sot ekonomia nuk prodhon më. Prodhimi dhe bujqësia po vuajnë pasojat e rritjes së çmimit të naftës. Ndërtimi lulëzon për të pastruar paratë e krimit e korrupsionit, kur shqiptarët nuk blejnë dot shtëpi e nuk përballojnë më qiratë.
Prandaj nafta, pas një dite rënieje, u shtrenjtua sërish sot me 218 lekë për litër, më i larti në Rajon.
Mos harroni 60% e këtij çmimi janë TAKSA.
Prandaj kemi propozuar uljen e taksave për të ndihmuar në uljen e çmimit të naftës.
Për këtë qeveri, qytetarët nuk janë kurrë prioritet", u shpreh Xhixho.