Vokshi: Partitë janë të personalizuara, sistemi i meritës nuk funksionon

Në një kohë kur diskursi publik dominohet nga thirrjet për demokraci, funksionimi i brendshëm i partive politike në Shqipëri ngre pikëpyetje serioze mbi vetë thelbin e saj.

Parimi themelor që organet drejtuese të një partie duhet të dalin nga vota legjitime e anëtarësisë, duket se është shndërruar më shumë në një iluzion sesa në një realitet të prekshëm.

Për të folur më tepër për këtë temë, i ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora news", ishte analisti Indrit Vokshi.

"Kur flasim për demokraci ose për parti demokratike flasim për qëndrim të partive politike dhe kryesisht flitet për qëndrim ndaj konstituimit ose themelimit të partive nëpërmjet votës.

Pra organet drejtuese të partisë duhet të themelohen në mënyrë legjitime me votë.

Sa për debat, debat ka dhe ka pasur, madje ka pasur dhe tentativa për përplasje fizike nëpër forumet e partive politike, nëse mund ta quajmë këtë debat.

Debat ka gjithmonë. Në secilën parti politike ka debat. Çështja është ku shkon debati dhe sa produktiv është debati.

Pra, e bën debati që një parti politike të mbajë qëndrim tjetër ndaj zgjedhjeve?

Se këtu është dallimi, qëndrimi ndaj zgjedhjeve dhe ndaj proceseve legjitime brenda partisë.

Pra në qoftë se flasim për këtë, kjo nuk është, sepse flitet për përjashtime, flitet për imponime, flitet për marrjen e topit nëpërmjet thyerjes së këmbëve.

Pra gjithmonë ka pasur debate, por nuk ka diçka, që është kartela e anëtarit, pra kartela legjitime, ju e kuptoni çfarë do të thotë kartela e anëtarit, jo anëtar me kartelë nga mendja, por kartela e anëtarësisë ku secilit anëtar të partisë i shënohen kontributet e veta dhe dhe veprimtaria e vet politike dhe kjo kartelë vlerësohet.

Kjo nuk është ana formale, kjo është ana thelbësore. Pra, procedura dhe burokracia është thjesht mbulesa, veshja e thelbit politik dhe të argumentit politik.

Pra, duke mos qenë kjo, partitë nuk themelohen nëpërmjet votës dhe ti nuk ke një garanci sepse nuk ke një shkallare partiake.

Pra, je pjesë e një partie politike, je pjesë e forumeve edhe më të larta të partisë politike, por ke paqartësi dhe mungesë sigurie se si do të shkojë veprimtaria jote politike nëse ti ndërmerr një veprim politik.

Pra, nëse do të kandidosh për kryetar partie, për nënkryetar partie, ti nuk e ke të qartë sistemin e meritës dhe sistemin e procedurës dhe të qëndrimit që mban partia.

Ka gjithmonë surpriza. Pra ne sot jemi në sistemin e privatizimit të partive, të personalizimit të partive dhe secili eksponent brenda partive të mëdha, po them, në Shqipëri, ka probleme me parashikueshmërinë e veprimeve të veta.

Ti mund t'i kesh të gjitha në rregull, të gjitha kriteret në rregull, qëndrimin në rregull, i teket kryetarit të partisë dhe nuk të lejon të kandidosh", u shpreh Vokshi.

Ndiqni emisionin e plotë: