"Raporti IBAR i refuzuar, Mali i Zi avancon"/ Xhixho: Shqipëria ende pa asnjë kapitull! Integrimi po bllokohet për interesa politike
Në seancën plenare, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, foli për situatën e integrimit europian të Shqipërisë, duke kritikuar qeverinë për dështimin e përmbushjes së standardeve të Bashkimit Europian.
Ajo tha se Raporti IBAR, i cili vlerëson progresin në drejtësi, siguri, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat e njeriut, nuk është miratuar nga Brukseli.
Xhixho theksoi se kjo pengon mbylljen e kapitujve të negociatave, ndërkohë që Mali i Zi ka mbyllur tashmë 11 kapituj në një vit e gjysmë.
Deputetja akuzoi qeverinë se po përdor interesat e veta politike për të mbajtur vendin peng, duke marrë si shembull votimin për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut, të cilin e quajti një “akt politik që dështoi në luftën kundër korrupsionit dhe integrimin europian”.
Xhixho përfundoi duke nënvizuar se integrimi europian nuk është vetëm miratimi i ligjeve, por zbatimi i tyre dhe ndërtimi i standardeve reale europiane për qytetarët shqiptarë.
FJALA E DEPUTETES, ERISA XHIXHO:
Të nderuar qytetarë,
Sot pamë një show me procesin e integrimit europian, por nuk u thanë disa të vërteta.
Rreziku thelbësor i procesit europian vjen nga mosmiratimi i Raportit IBAR – raporti për objektivat e ndërmjetme.
Ky raport, që përcakton nëse janë përmbushur kriteret e shtetit të së drejtës dhe përfshin grup-kapitullin e parë për drejtësi, siguri, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore të njeriut, nuk është miratuar nga Brukseli. Shumë vende europiane kanë ngritur pikëpyetje të forta për situatën reale në Shqipëri. Miratimi i Raportit IBAR është kusht themelor për të mundësuar mbylljen e kapitujve të negociatave dhe avancimin e procesit të integrimit.
Në 1 vit e gjysmë nga hapja e negociatave, Mali i Zi ka mbyllur 11 kapituj, duke e çuar totalin në 14, ndërkohë Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë kapitull.
Kjo është e vërteta.
Kjo nuk është aspak rastësi. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i një qeverie që ka dështuar të përmbushë standardet më themelore të Bashkimit Europian dhe që po e mban vendin peng për interesat e saj personale.
E vërteta e bllokimit të procesit të integrimit është:
Votimi në Parlament për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut ishte një akt i pastër politik për të mbrojtur pushtetin dhe për të shkatërruar drejtësinë. Ky nuk ishte thjesht një dështim – ishte një rrëzim i plotë i reformës në drejtësi. Mazhoranca e ktheu imunitetin në një bunker politik dhe juridik, duke i shpallur luftë të hapur drejtësisë.
Paralajmërimi i David McAllister ishte i qartë: çështja Balluku është një test për luftën kundër korrupsionit dhe për integrimin europian. Ky test dështoi me vetëdije dhe do të ketë pasoja në procesin e integrimit.
Integrimi europian nuk është vetëm miratimi i një liste ligjesh apo reformash, por është mbi të gjitha zbatimi i tyre dhe ndërtimi i standardeve europiane për qytetarët tanë.

