U kap duke “blerë vota për PS”, Arif Tafani i Belshit “qep” 100 mijë euro tender për Fiqiri Palin

Mbrëmjen e 10 majit 2025, vetëm pak orë para hapjes së procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare, drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, njoftoi se ai dhe përfaqësuesit e opozitës kishin ndaluar një automjet, i cili dyshohej se po shpërndante para për qytetarët, në këmbim të votave për Partinë Socialiste.

Në brendësi të automjetit gjendeshin dy persona, njëri prej të cilëve biznesmeni Fiqiri Pali, i konsideruar si pronari “de fakto” i kompanisë së ndërtimit “Sireta 2F”, një subjekt që ka përfituar miliona euro nga tenderat publikë të zhvilluara gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste.

U kap duke “blerë vota për PS”, Arif Tafani i Belshit
Në foto: Biznesmeni Fiqiri Pali, në automjetin e ndaluar nga përfaqësuesit e opozitës në Dibër

Prokuroria e Posaçme (SPAK), struktura përgjegjëse për hetimin e krimeve zgjedhore, nuk duket se prodhoi asnjë pasojë për sipërmarrësin Pali dhe ai iu rikthye fitimit të tenderave publikë. Por, kësaj radhe, ai nuk mund të mbështetej tek “Sireta 2F”.

“Manovrat” e Palit me kompanitë

Kompania “Sireta”, e krijuar prej tij në vitin 2004 dhe në pronësi formale të bashkëshortes, Festime Pali, është e përjashtuar përkohësisht nga tenderat.

Në mars të vitit 2025, Agjencia e Prokurimit Publik (APP), aktivizoi një penalitet 18 mujor ndaj kompanisë së familjes Pali, pas një shkeljeje të evidentuar në vitin 2017. Periudha e përjashtimit të “Sireta 2F” përfundon në gusht të vitit 2026.

U kap duke “blerë vota për PS”, Arif Tafani i Belshit
Në foto: Vendimi i APP-së, në mars 2025, për përjashtimin e “Sireta 2F” shpk nga tenderat

Përballë kësaj situate, Fiqiri Pali u detyrua të krijojë një subjekt të ri privat ndërtimor. Në qershor të vitit të kaluar, ai themelon kompaninë “EM-EA Konstruksion”.

Me këtë shoqëri, ai merr pjesë në një tender të shpallur nga Bashkia Belsh në dhjetor 2025, me object “Krijimi i shtegut turistik “Liqeni i Degës – Liqeni i Merhojës dhe Kompleksi Dumrea Eco Park, Faza I”. Fondi limit për këtë procedurë ishte mbi 16 milionë lekë të reja ose rreth 170 mijë euro.

Të dhënat zyrtare, të konsultuara nga “Boldnews.al”, tregojnë se në procedurë morën pjesë 16 operatorë ekonomikë.

Në përfundim, kryebashkiaku i Belshit, Arif Tafani, shpalli fitues kompaninë “EM-EA Konstruksion” të Fiqiri Palit, me ofertën rreth 10 milionë lekë të reja ose pak më shumë se 100 mijë euro.

U kap duke “blerë vota për PS”, Arif Tafani i Belshit
Në foto: Rezultatet e tenderit në Belsh

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se shoqëria e Palit nuk kishte paraqitur ofertën më të ulët. Megjithatë, ky duket se ishte problemi më i vogël në procedurën. Disa detaje më të holla, tregojnë se Arif Tafani është kujdesur që Fiqiri Pali të ishte pjesë e garës.

Tender “i qepur” për Fiqiri Palin?

Në bazë të dokumentave fillestare të tenderit, “EM-EA Konstruksion” e Fiqiri Palit nuk mund të kualifikohej për vijimin e procedurës. Por, me një “ndërhyrje” minimaliste, por të mjaftueshme në dokumentat e tenderit, kryebashkiaku i Belshit i dha mundësinë sipërmarrësit nga Dibra që të përfshihej në procedurë dhe, siç rezultoi në përfundim, edhe të shpallej fitues.

U kap duke “blerë vota për PS”, Arif Tafani i Belshit
Në foto: Kryebashkiaku socialist i Belshit, Arif Tafani

Çfarë ka ndodhur?

Në dokumentat kualifikues, Bashkia e Belshit kishte parashikuar që kompanitë pjesëmarrëse në tender duhet që “Operatorët ekonomikë duhet të paraqesin vërtetim/e për shlyerjen e detyrimeve të taksave dhe tarifave vendore të parashikuara nga pushteti vendor për vitin 2024 lëshuar prej njësive të vetëqeverisjes vendore ku operatori ekonomik ushtron dhe ka ushtruar aktivitetin, sipas ekstraktit të QKB”.

Ky ishte një kusht, i cili nuk mund të përmbushej nga kompania e Fiqiri Palit. “EM-EA Konstruksion” nuk mund të paraqiste vërtetim për pagesën e taksave për vitin 2024, për arsyen e thjeshtë se ajo ishte krijuar në qershor 2025.

Zgjidhja e këtij “problemi” të vogël gjendej në dorën e kryebashkiakut Arif Tafani. Gjatë periudhës së pritjes së ofertave, Bashkia e Belshit bën një ndërhyrje në dokumentat e tenderit, ligjërisht i njohur me termin “modifikim”.

Në aktet e lexuara nga “Boldnews.al”, e konkretisht në Shtojcën 1 “Për modifikimin e dokumenteve të tenderit për procedurën e prokurimit” thuhet se: Operatorët ekonomikë duhet të paraqesin Vërtetim për shlyerjen e taksave vendore të maturuara të parashikuara nga Pushteti Vendor për vitin 2025”.

U kap duke “blerë vota për PS”, Arif Tafani i Belshit
Në foto: Dokumenti i modifikimit të kritereve kualifikuese në tenderin e Belshit

Bashkia e Belshit nuk ka dhënë asnjë argument të qenësishëm ligjor për të mbështetur këtë modifikim. Megjithatë, ndryshimi “i vogël” ishte porta që i hapi rrugën kompanisë së Fiqiri Palit që të merrte pjesë në tender. “EM-EA Konstruksion”, tashmë, kishte mundësinë që të dorëzonte një vërtetim për pagim taksash në vitin 2025.

Pas “dorës së ngrohtë” të kryebashkiakut socialist Arif Tafani, sipërmarrësi nga Dibra, i cili u akuzua publikisht se po blinte vota për “Rilindjen” e Edi Ramës, arriti të merrte pjesë dhe, në fund, edhe të shpallej fitues i tenderit./ Boldnews