Përfundon ish-kryeministri i Nepalit nën pranga për shtypjen e protestave ku humbën jetën mbi 70 persona

Përfundon ish-kryeministri i Nepalit nën pranga për shtypjen e
Ish-kryeministri i Nepalit, Khadga Prasad Sharma Oli, është arrestuar këtë të shtunë në banesën e tij në Kathmandu pas akuzave për shtypjen e protestave të vitit të kaluar, ku humbën jetën mbi 70 persona.

Pas arrestimit, 74-vjeçari u dërgua në spital për kontroll mjekësor, duke marrë parasysh moshën dhe historikun e tij shëndetësor, përfshirë dy transplante veshkash.

Në të njëjtën ditë u arrestua edhe ish-ministri i Brendshëm, Ramesh Lekhak, pas rekomandimeve të një komisioni hetimor që i propozon të ndiqen penalisht për neglizhencë kriminale.

Deri tani nuk janë ngritur akuza zyrtare ndaj tyre, ndërsa procedurat ligjore vazhdojnë.

Arrestimet kanë nxitur reagime të forta: mbështetësit e Olit kanë dalë në protesta në Kathmandu dhe paralajmërojnë demonstrata në mbarë vendin, ndërsa familjet e viktimave kërkojnë që përgjegjësit të mbahen para drejtësisë.

Oli dhe avokatët e tij e konsiderojnë arrestimin të pajustifikuar, duke thënë se nuk ka rrezik që ai të arratiset apo të pengojë hetimet.