INDIA UL TAKSAT E KARBURANTIT! Masa për të frenuar inflacionin. Rriten taksat për eksportet e naftës
India ka ulur taksat për benzinën dhe naftën që importohet dhe konsumohet brenda vendit, ndërsa i ka rritur ato për eksportet e naftës dhe karburantet ajrore. Këto vendimi janë marrë për të mbrojtur konsumatorët dhe për të ulur nivelin e inflacionit në vend.
India ka ulur ndjeshëm taksat mbi karburantet për të mbrojtur konsumatorët dhe për të frenuar rritjen e inflacionit, në një kohë kur tregjet globale të naftës janë tronditur nga tensionet e lidhura me Iranin.
Vendimi vjen pasi çmimet ndërkombëtare të naftës kanë kaluar mbi 100 dollarë për fuçi, të ndikuara nga kufizimet në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për importet energjetike të Indisë.
Sipas një urdhri të Ministrisë së Financave, akciza për benzinën është ulur, ndërsa për naftën është hequr plotësisht. Autoritetet nuk kanë dhënë një shifër të saktë për koston fiskale të këtij vendimi, por ekspertët vlerësojnë se ndikimi mund të jetë i konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.
Qeveria indiane synon të amortizojë efektet e rritjes së çmimeve ndërkombëtare, duke mbrojtur konsumatorët nga luhatjet e tregut. Në Indi, megjithëse çmimet janë të liberalizuara, kompanitë shtetërore që kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut shpesh nuk i reflektojnë menjëherë rritjet e çmimeve, duke e zhvendosur barrën te shteti ose vetë kompanitë.
Paralelisht, autoritetet kanë vendosur edhe taksa shtesë mbi eksportet e naftës dhe karburanteve ajrore, për të përfituar nga rritja e çmimeve globale.
India, si një nga importuesit më të mëdhenj të naftës në botë, është veçanërisht e ndjeshme ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare. Qeveria ka garantuar se do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me karburant dhe do të mbështesë kompanitë e tregtimit për të shmangur rritjen e çmimeve për qytetarët.
Ndërkohë, janë marrë masa edhe për të rritur furnizimin me gaz të lëngshëm për sektorin industrial dhe atë tregtar, si pjesë e përpjekjeve për të përballuar situatën e krijuar nga kriza energjetike globale.

