"Referendumi, mangësi e demokracisë"/ Mile: Rrezikohet që procesi të përdoret më shumë si mjet politik sesa si konsultim real

I ftuar në studio ishte analisti Klementin Mile, i cili foli për idenë e një referendumi popullor në kushtet e debatit për funksionimin e institucioneve në vend.

Sipas tij, nisma vjen në një moment kur vihet në diskutim roli i institucioneve kryesore dhe raporti i tyre me qytetarët.

"Kur flitet për referendum, duhet parë qartë se për çfarë pyeten qytetarët. Pa qartësi mbi pyetjet, rrezikohet që procesi të përdoret më shumë si mjet politik sesa si konsultim real."- tha ai.

Analiza e tij lidhet edhe me faktin se në të kaluarën vendime të rëndësishme janë marrë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve, çka ka krijuar distancë mes politikës dhe publikut.

Në këtë kontekst, ideja e referendumit shihet si një përpjekje për të marrë mbështetje më të gjerë për ndryshime të mëdha.

"Kur kërkohet një legjitimitet i ri, kjo tregon se ai ekzistues nuk mjafton për hapat që synohen. Kjo është shenjë e një krize më të thellë besimi."- u shpreh Mile.

Sipas analistit, përdorimi i termave që lidhen me ndryshime të forta në sistem tregon se mund të ketë lëvizje të rëndësishme politike, për të cilat kërkohet miratim popullor.

Ndiqni intervistën e plotë në "Ora News":