Xhixho: Harta gjyqësore – një dështim i paralajmëruar që po u mohon qytetarëve drejtësinë
Harta gjyqësore – një dështim i paralajmëruar që po u mohon qytetarëve drejtësinë.
Tre vite pas vënies së saj në zbatim, realiteti në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm tregon qartë se reforma nuk ka arritur të garantojë drejtësi të shpejtë dhe efektive.
Shifrat janë alarmante:
Stoku i dosjeve është rritur nga 41,700 në 45,876 brenda një viti
Rreth 4,100 çështje shtohen çdo vit
64% janë çështje civile që zvarriten me vite
Një proces gjyqësor zgjat 1–2 vite në shkallë të parë dhe deri në 5–7 vite vetëm në Apel. Kjo ka rritur kostot për qytetarët dhe ka kufizuar aksesin në drejtësi, në kundërshtim me standardet europiane që kërkojnë institucione më pranë qytetarit.
Kjo nuk është më vonesë — është mohim i drejtësisë.
Sot, nga 78 gjyqtarë të parashikuar, janë vetëm 42 në detyrë. Me mbi 400 dosje në vit për çdo gjyqtar dhe me probleme serioze infrastrukturore, cilësia e vendimmarrjes vihet në rrezik real.
Këtë hartë gjyqësore e kemi kundërshtuar që në fillim. Fatkeqësisht, koha na dha të drejtë: sistemi po shkon drejt kolapsit.
Reforma në drejtësi ka dështuar në misionin e saj kryesor — t’u japë qytetarëve drejtësi të shpejtë, cilësore dhe efektive.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.