Salianji "godet" Berishën për rikandidimin: Në opozitë kanë frikë të diskutojnë autoritetin e liderit

Ish-deputeti Ervin Salianji ka deklaruar se do të kandidojë në garën për kryetar të Partisë Demokratike, në zgjedhjet e përcaktuara më 23 maj.

Salianji u shpreh se do të marrë pjesë në garë, por ngriti shqetësime për mënyrën se si po organizohet procesi brenda partisë.

Po, do të jem në garën për kryetar të PD, pavarësisht se është përcaktuar data e zgjedhjeve që është 23 maj, por PD nuk ka përcaktuar siç duhet procesin, sepse ka një parim ku dalin listat e votuesve, rregullat për garuesit dhe kushtet e barabarta të garës, siç bëhet në zgjedhjet e përgjithshme”, u shpreh ai në emisionin “Kjo Javë” në News24.

Salianji theksoi nevojën që gara për drejtimin e Partisë Demokratike të zhvillohet mbi standarde të qarta dhe të barabarta për të gjithë kandidatët, në mënyrë që procesi të jetë i besueshëm dhe transparent.

Salianji vuri theksin tek nevoja për “parademokratizimin” e partive politike në Shqipëri, duke argumentuar se pa demokraci të brendshme nuk mund të ketë demokraci funksionale në vend.

Ai kritikoi gjithashtu mungesën e debatit brenda opozitës dhe hezitimin për të vënë në diskutim autoritetin e liderit, duke iu referuar drejtpërdrejt Berishës.

Sipas tij, një sërë premtimesh të bëra nga kreu i PD-së nuk janë mbajtur, përfshirë zotimet për të mundur kryeministrin Edi Rama, për të zgjidhur raportet me ndërkombëtarët, si dhe për të ndryshuar mënyrën e përzgjedhjes së deputetëve nga anëtarësia.

“Në opozitë kanë frikë të vendosin në diskutim autoritetin e liderit i cili ka thënë do e mund Edi Ramën, do zgjidh problemet me ndërkombëtarët, do e tërheq Ramën zvarrë brenda 6 muajsh, deputetët do i zgjedhin anëtarësia jo kryetari dhe një sërë premtimesh të pambajtura. A bëhet PD fituese kështu”, u shpreh Salianji.