SHQIPËRIA “SELAM” SERBISË! Ministri i Mbrojtjes përgjigje kërcënimeve të Vuçiçit: Jemi në NATO
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se Shqipëria është e sigurtë dhe nuk intimidohet nga kërcënimet, përfshirë deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Ai theksoi se vendi ynë vepron gjithmonë në koordinim të plotë me aleatët e NATO-s.
Shqipëria as nuk i frikësohet e as nuk intimidohet nga veprimet e Serbisë, me stërvitje ushtarake në kufijtë e Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi I përcolli një mesazh të qartë Beogradit, duke theksuar faktin se Shqipëria është vend i NATO-s, dhe se çdo veprim e ndërmerr në koordinim të plotë me aleatët.
Ministri mbajti këtë qëndrim në përgjigje të interesit të medias për zhvillimet e fundit në rajon, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave që mori një vendim për pagat e ushtrisë, me synim arritjen e mesatares së vendeve të NATO-s.
Në mbledhjen e kësaj të enjteje të qeverisë, u miratuan një sërë vendimesh, që nga ai i miratimit të zonave prioritare lidhur me Paketën e Maleve për 8 bashki, ndërtimi i një nënstacioni elektrik nëntokësor pas sheshit “Skënderbej”, e deri tek krijimi i Agjencisë Kombëtare të shërbimeve Arsimore, si një institucion autonom, në shërbim të pavarësimit të Arsimit.
Ministri për Pushtetin Vendor, u ndal edhe tek reforma territoriale, për çka theksoi se është e rëndësishme të ecet përpara, për çka tha se maxhoranca është gatshme të japë kontributin e saj.

