"VOTIMI, ANTI-KUSHTETUES"/ Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim kërkesën e PD-së për Endri Shabanin
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të dërgojë për shqyrtim kërkesën e PD-së për mënyrën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, Endri Shabani.
Sipas njoftimit zyrtar, gjykata do të shqyrtojë kërkesën e 1/5 së deputetëve, për kushtetutshmërinë e vendimit të Kuvendit.
“Gjykata Kushtetuese vendosi kalimin për shqyrtim në seancë plenare të disa çështjeve, mbi bazë dokumentesh.
Kërkesa e jo më pak se një të pestës së deputetëve të Kuvendit, që lidhet me verifikimin e procedurës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe kushtetutshmërinë e vendimit përkatës të Kuvendit”,- thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Endri Shabani u zgjodh pak kohë më parë Avokat i Popullit vetëm me votat e mazhorancës. PD, e cila fillimisht e kishte mbështetur kandidaturën e tij, u tërhoq në momentet e fundit, duke e cilësuar Shabanin si një zgjedhje të Edi Ramës.
Më 12 janar të këtij viti PD e ankomoi në Kushtetuese, vendimin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. PD pretendon se zgjedhja e Shabanit është në shkelje të kushtetutës dhe rregullores së kuvendit dhe kërkon shfuqizimin e votimit në kuvend për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Cila është shkelja ligjore?
Avokati i Popullit emërohet nëpërmjet procedurës së votimit të fshehtë në Parlament. Në Rregulloren e Parlamentit nuk përcakton shprehimisht se, në procedurën për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, një deputet duhet të votojë për një kandidat. Megjithatë, ky rregull rezulton në mënyrë të tërthortë nga vetë përcaktimi i mënyrës së votimit.
Rregullorja e Parlamentit, në plan të përgjithshëm, parashikon se për votimet e fshehta me më shumë se një kandidat, çdo deputet nuk mund të votojë “pro” për më shumë se një emër. Ky parim i përgjishëm aplikohet edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, për disa arsye sa ligjore, aq edhe teknike.

Së pari, Rregullorja ka barazuar mënyrën e votimit me fletë votimi me atë të votimit në mënyrë elektronike, duke mos parashikuar efekte juridike të ndryshme ndërmjet tyre. Për rrjedhojë, votimi elektronik nuk mund të prodhojë pasoja të ndryshme nga votimi me fletë.
Konkretisht, neni 60, pika 3 parashikon se: “Votimi i fshehtë bëhet duke hedhur në kutinë e votimit fletën e votimit ose në mënyrë elektronike”.
Në vijim, neni 60 i Rregullores, në pikën 4, parashikon se: “Fleta e votimit të fshehtë përmban të paktën objektin e votimit dhe alternativat e votimit: “pro”, “kundër” dhe “abstenim”. Në fletën e votimit deputeti shënon me një shenjë të dallueshme dhe të qartë për zgjedhjen e bërë. Në rast se fleta e votimit përmban më shumë se një kandidat, deputeti vendos shenjën për zgjedhjen e bërë përbri emrave të vendosur në kuadrat. Fletët e votimit ndahen në vota të vlefshme ose vota të pavlefshme”.
Vota të vlefshme janë fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërën nga alternativat.
Vota të pavlefshme janë fletët e votimit kur:
a) fletës së votimit i mungon vula e Sekretariatit për procedurat, Votimet dhe Etikën ose nënshkrimet e tij;
b) në fletën e votimit janë bërë shënime ose shenja që e bëjnë të pamundur vlerësimin e votës;
c) është votuar për më shumë se një alternativë;
ç) nuk është votuar për asnjë nga alternativat;
d) nuk është e qartë se për cilën alternativë është votuar;
dh) nuk është votuar për çështjen – objekt i fletës së votimit”.
Në këtë kuptim, edhe në rastin e votimit të fshehtë elektronik, deputeti mund të shprehë vetëm një votë për një kandidat për Avokatin e Popullit, e cila numërohet një herë në procesin e zgjedhjes.
Shkelje kushtetuese
Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Avokatit të ri të Popullit u shoqërua me një amulli të tepruar, e cila përfshiu sidomos opozitën. Një pjesë e madhe e deputetëve të Partisë Demokratike firmosën mbështetjen për të gjashtë kandidaturat, mes të cilave edhe atë të Endri Shabanit, i cili kishte siguruar plot 35 nënshkrime ligjvënësish opozitarë.
Por, pasi u dhanë këto firma, Partia Demokratike deklaroi publikisht se e tërhiqte mbështetjen për Shabanin, një lëvizje e vonuar dhe, mbi të gjitha, aspak ligjore e juridike. Bazuar mbi ato firma, Partia Socialiste emëroi Endri Shabanin si Avokat të Popullit.
Pas votimit, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, deklaroi se do të ankoheshin në Gjykatën Kushtetuese për ato që i konsideron si shkelje flagrante nga ana e maxhorancës së Edi Ramës në procesin e emërimit të Shabanit.
“…Do të kërkoj nga grupi parlamentar autorizimin përkatës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit përmes një procedure parlamentare tërësisht të paligjshme”, deklaroi Bardhi nga selia e Kuvendit.
Ai tha se “…nëpërmjet falsifikimit të akteve parlamentare, Niko Peleshi i paraqiti dje Kuvendit të Shqipërisë për votim si kandidat të rrejshëm për Avokat të Popullit një njeri që nuk kishte mbështetjen me firmë të vlefshme të asnjë deputeti të vetëm, jo më të 28 deputetëve siç ligji kërkon për hedhjen në votim”.


