Përcaktohen kriteret për funksionim e instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor

Këshilli i Ministrave vendosi sot përcaktimin e kritereve dhe procedurave të kërkimit shkencor, që financohen nga fondet publike.

Me propozim të ministrit të Arsimit, ky vendim përcakton kriteret, procedurat, periodicitetin dhe metodologjinë e vlerësimit të përmbushjes së kushteve dhe të kritereve të funksionimit të instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor, të cilat financohen nga fonde publike, si dhe llojet e masave në rast të mospërmbushjes së kushteve dhe të kritereve të funksionimit.

Ky vendim zbatohet për të gjitha institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, që janë krijuar në bazë të ligjit “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, dhe që financohen plotësisht ose pjesërisht nga fonde publike apo sipas një marrëveshjeje të posaçme financimi.

Sipas KM, ky vendim zbatohet edhe për projektet e kërkimit të financuara nga programe të huaja, kur financimi kombëtar bashkëkontribuon në buxhet.

“Vlerësimi i përmbushjes së kushteve dhe kritereve të funksionimit të instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor të financuara nga fonde publike realizohet nga ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe kërkimit shkencor”, thuhet në vendim.

Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.