Episod nga jeta e George Bernard Shaw dhe tehu i hollë i bisturisë ironike

Episod nga jeta e George Bernard Shaw dhe tehu i hollë i bisturisë

George Bernard Shaw (26 korrik 1856 – 2 nëntor 1950) nuk ishte thjesht një dramaturg dhe fitues i çmimit "Nobel"; ai ishte mjeshtri i pamëshirshëm i paradoksit dhe një kritik i rreptë i institucioneve shoqërore.

Penat e tij nuk shkruanin thjesht drama, por kryenin diseksione mbi moralin e kohës.

Gjatë një darke, ku pjatat shoqëroheshin me vëzhgime të holla mbi jetën, dy miq të afërt të Shaw-t, një avokat dhe një kirurg u përfshinë në një diskutim të gjatë e të zhurmshëm mbi artin e dramaturgjisë.

Shaw, i ulur mes tyre, qëndronte si i gozhduar në kryqin e një heshtjeje pothuajse mistike, duke dëgjuar me vëmendje oratorinë e tyre të vetëkënaqur që hargaliseshin si mëza në fushat e huaja.

​Kur biseda nisi të shteronte, miqtë iu kthyen dramaturgut:

— Po ju, i dashur Bernard, përse nuk po na thoni asgjë? A nuk keni ndonjë histori të kësaj teme?

​— Di vetëm një të vërtetë, u përgjigj Shaw me atë qetësinë e tij karakteristike, dhe do t’jua rrëfej me pak fjalë.

​Ai nisi të tregonte:

— Një kirurg që unë e njoh mirë, gjatë një operacioni delikat, e humbi gjakftohtësinë e tij proverbiale. Në atë turbullim e sipër, në vend që t’i hiqte pacientit organin që e lëngonte, bëri një gabim fatal, i preu dhe i hoqi atë pjesë të sistemit nervor që mbart lidhjen organike me ndërgjegjen njerëzore.

​Avokati, i prekur nga kurioziteti profesional, nuk duroi dot dhe e ndërpreu:

— E tmerrshme! Po pastaj, çfarë ndodhi me të mjerin?

​— Ndodhi diçka e jashtëzakonshme në kufinjtë e një mrekullie, vazhdoi Shaw pa i lëvizur asnjë muskul i fytyrës.

— Pacienti jo vetëm që u shërua, por meqenëse tashmë i mungonte plotësisht ndërgjegja, nuk pati rrugë tjetër, u bë avokat.

Përgatiti: Albert Vataj