A e bëni kot agjërimin? Ahmed Kalaja jep kuptimin e vërtetë të Ramazanit dhe flet për gabimin që e bën të pavlefshëm
Ndërsa miliona besimtarë myslimanë në mbarë botën i përkushtohen agjërimit të Ramazanit, lind pyetja thelbësore: cili është kuptimi i vërtetë i kësaj sakrifice dhe si matet suksesi i saj? Përtej heqjes dorë nga ushqimi dhe pija nga agimi deri në perëndim, qëllimi i Ramazanit është një transformim i thellë shpirtëror, testimi i të cilit bëhet vetëm pas përfundimit të tij.
I ftuar në një intervistë në emisionin “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama, teologu dhe imami i njohur, Hoxhë Ahmed Kalaja, u shpreh se prova e vërtetë e një Ramazani të pranuar është sjellja e individit pas këtij muaji. Nëse një person i kthehet zakoneve dhe sjelljeve të mëparshme, atëherë agjërimi rrezikon të jetë reduktuar në "vetëm etje dhe uri". Thelbi nuk qëndron te akti mekanik, por te “gjurma e brendshme” që ky adhurim lë te njeriu. Qëllimi final, siç përcaktohet edhe në Kuran, është arritja e devotshmërisë.
Por çfarë nënkupton devotshmëria? Ajo përkthehet në dy dimensione themelore: korrektësia në raport me Krijuesin dhe korrektësia në raport me krijesat. Pra, nuk mjafton një marrëdhënie e rregullt vetëm me Zotin, por kjo duhet të reflektohet domosdoshmërisht në sjelljen dhe raportet me njerëzit e tjerë dhe gjithë shoqërinë.
Një aspekt interesant i Ramazanit është natyra e tij lëvizëse. Duke qenë se bazohet në kalendarin hënor, i cili është rreth 10 ditë më i shkurtër se ai diellor, Ramazani çdo vit lëviz nëpër stinë. Kjo lëvizje ciklike mbart një mesazh të thellë barazie hyjnore: siguron që të gjithë popujt e botës, pavarësisht klimës ku jetojnë, ta përjetojnë agjërimin në të gjitha stinët, pa pasur asnjëherë një grup të privilegjuar që agjëron gjithmonë në dimër apo një grup tjetër që e ka gjithmonë në verë. Ky fakt simbolizon se përpara Zotit, të gjithë njerëzit janë të barabartë.
Historikisht, agjërimi si praktikë ka ekzistuar edhe te profetët e mëhershëm, por obligimi i agjërimit specifikisht në muajin e Ramazanit u vendos në vitin e dytë pas emigrimit të Profetit Muhamed nga Meka në Medinë. Kjo zhvendosje, e njohur si Hixhreti, nuk ishte një zgjedhje, por një domosdoshmëri për t’i shpëtuar persekutimit dhe dhunës në Mekë.
Arsyeja e këtij konflikti ishte mesazhi thellësisht revolucionar që Profeti solli: adhurimin e një Zoti të vetëm në një shoqëri politeiste që adhuronte rreth 360 idhuj. Thirrja për një komunikim direkt me Zotin, pa ndërmjetësimin e objekteve të krijuara nga dora e njeriut, ishte një thyerje e traditave shekullore dhe një tabu e madhe, duke shkaktuar një përplasje të pashmangshme që çoi në krijimin e komunitetit të ri në Medinë, ku edhe u themeluan shumë nga rregullat e Islamit, përfshirë agjërimin e Ramazanit.
PJESË NGA BISEDA
Luan Rama: Si e kupton pastaj, në e ka bërë mirë apo keq? Cili është raporti i këtij individi me Zotin që gjykon dhe vlerëson në këtë rast?
Ahmed Kalaja: Pra, kjo shihet mbas Ramazanit. Nëse njeriu mbas Ramazanit ecën në linjë, është i përmirësuar, është më mirë se përpara Ramazanit, do të thotë që ka shkuar punët mirë. Në qoftë se njeriu mbas Ramazanit kthehet, si me thënë njësoj siç ishte para Ramazanit, në atë botën e veseve, problemeve...
Luan Rama: Në sjelljet, në raportin me të tjerët, me shoqërinë.
Ahmed Kalaja: Atëherë kjo do të thotë se... ka një fjalë profetike shumë interesante që thotë: “ka njerëz që agjërojnë, po nuk marrin nga agjërimi vetëm se etjen dhe urinë. Ka njerëz që falen, po nuk marrin nga falja vetëm se lodhjen edhe pagjumësinë”.
Luan Rama: Domethënë që e bëjnë kot.
Ahmed Kalaja: Jo kot, me kuptimin, ai nuk ka kapur thelbin e gjësë. Pra thelbi i gjësë, kush është? Efekti brenda njeriut. Gjurma që duhet të lërë falja, gjurma që duhet të lërë agjërimi, gjurma që duhet të lërë leximi i Kuranit, gjurma e brendshme. Pra, si reflekton ti me botën jashtë mbasi bën adhurimin?!
Luan Rama: Pra nuk është çështja thjesht në ke agjëruar në kuptimin që ke përmbushur sakrificën që të kërkohet, të respektosh orarin, të mos hash apo të mos pish gjatë kohës që është e ndaluar, por është shumë më thellë se sa kaq?
Ahmed Kalaja: Po. Për këtë arsye Zoti kur foli për agjërimin në Kuran, çfarë tha? Që të arrini devotshmërinë. Pra, duhet të agjëroni, sepse është obligim, është një nga shtyllat e Islamit, është një detyrë që njeriu duhet ta bëjë karshi Zotit. Porse qëllimi, tha, është që të arrini devotshmërinë. Pra, ç'do të thotë fjala devotshmëri, e përkthyer në terma më të thjeshta? Korrektësia e njeriut në raportet me krijuesin dhe korrektësia e njeriut në raport me krijesat. Pra nuk mjafton të jesh i njëanshëm, duhet të jesh me Zotin edhe me krijesat.
Luan Rama: Si ka lindur muaji i Ramazanit?
Ahmed Kalaja: Muaji i Ramazanit është, le të themi, një nga muajt hënorë. Nuk është muaj diellor, pra me kuptimin, për këtë arsye çdo vit Ramazani ecën 10 ditë më herët, pra lëviz. Duke qenë se viti lunar është 355 ditë, atëherë i bie që çdo vit ai lëviz, në mënyrë që të gjithë njerëzit ta shijojnë Ramazanin në të gjitha stinët e vitit njësoj. Sepse po të ishte në vitin diellor...
Luan Rama: Pra po të kishte një datë fikse...
Ahmed Kalaja: Atëherë i binte për shembull që ne të ishim gjithmonë në dimër dhe dikush tjetër ta kishte gjithmonë në verë.
Luan Rama: Siç është e ndarë bota sot për shkak të raporteve me diellin dhe hënën.
Ahmed Kalaja: Po. Atëherë ky është në lëvizje të vazhdueshme, sikur po na jep Zoti një mesazh që nuk ka të privilegjuar të Zotit. Nuk ka popull të zgjedhur të Zotit. Të gjithë te Zoti jemi njësoj.
Luan Rama: Është dhe një pikë takimi me Zotin, në njëfarë mënyre shkon Zoti në mënyrë ciklike tek të gjithë...
Ahmed Kalaja: Tek të gjithë njerëzit, po.
Luan Rama: Pa thënë që vajti tek, tek...
Ahmed Kalaja: favorizon këtë ndaj këtij.
Luan Rama: ...tek ky popull në verë apo te ky popull në dimër, por është...
Ahmed Kalaja: Për të gjithë njerëzit. Është një. Ndërsa si historik, domethënë, atëherë Ramazani është një nga këto muajt, domethënë një nga 12 muajt hënorë. Dhe si historik ka nisur që si fillim, pra, Profeti alejhi selam ka jetuar le të themi 13 vite në Mekë, pastaj emigroi në Medinë. Kur ka emigruar në Medinë, atëherë është bërë obligim edhe agjërimi i Ramazanit. Si shumë, le të themi, ligje dhe rregulla të Islamit që janë sqaruar në Medinë, sepse koha e Mekës ka qenë një kohë, le të themi, maltratimi, ka qenë një kohë ku ai, domethënë, ka vuajtur bashkë me, le të themi, ata dhjetëra besimtarë që e ndiqnin atë në Mekë, ndërsa vajtja e tyre në Medinë pastaj dhe emigrimi në Medinë pati një natyrë krejt tjetër dhe muaji i Ramazanit është bërë obligim pikërisht në Medinë, kur kanë qenë në Medinë për herë të parë, pra në vitin e dytë të emigrimit në Medinë. Ndërsa agjërimi si agjërim nuk është vetëm i Profetit Muhamed, faktikisht agjërimi si agjërim ka qenë i të gjithë profetëve të mëhershëm. Kështu e thotë Kurani. Ju është bërë obligim agjërimi, siç është bërë obligim për të gjithë popujt.
Luan Rama: Zhvendosja nga Meka në Medinë, siç thatë ju, po, për çfarë arsye u bë?
Ahmed Kalaja: E përmendëm. Për t'i ikur dhunës, vuajtjes. Sepse, në Mekë kemi Qaben, domethënë ajo që quhet që myslimanët bëjnë haxhin. Aty ka pasur 360 idhuj, puta. Dhe Profeti Muhamed alejhi selam tha, të gjitha këto janë kot, duhet të lidhemi me Zotin, nuk ka nevojë Zoti për gurë e për drunj që i bëjmë ne dhe pastaj t'i lutemi atyre. Komunikojmë direkt me Zotin. Mirëpo kjo ishte thyerje e traditës, hedhje poshtë e gjithë asaj që ai popull kishte ndërtuar për shekuj. Dhe çdo traditë, le të themi, çdo zakon ishte i lidhur pikërisht me idhujt, festat, festivalet, çdo gjë. Profeti alejhi selam erdhi pikërisht me eliminimin, pra me kuptimin kemi punë me Zotin, s'kemi pse të lidhemi me gjërat e krijuara nga njerëzit. Mirëpo kjo ishte tabu, thyerje tabuje. Atëherë, nuk e pati të lehtë.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”

