“Marubi” sjell ekspozitën “Regjistri Sociologjik” të fotografes polake Zofia Rydet
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” sjell në Shqipëri ekspozitën “Zofia Rydet: Regjistri Sociologjik”, i cili prezanton projektin monumental fotografik Sociological Record (Zapis socjologiczny) të fotografes polake Zofia Rydet (1911–1997).
Praktika fotografike e Zofia Rydet vendoset në kufirin midis dokumentimit dhe ndërtimit të një arkivi të ndjeshmërisë kolektive.
E formuar jashtë institucioneve artistike dhe e angazhuar seriozisht me fotografinë vetëm në moshë të pjekur, ajo zhvilloi një qasje të qëndrueshme, këmbëngulëse dhe metodologjikisht të vetëdijshme ndaj imazhit.
Nga ciklet e hershme si “Njeriu i Vogël”, ku fëmijëria shfaqet si një territor universal dhe i pambrojtur, te seritë mbi kalimin e kohës dhe përfaqësimin e pleqërisë, Rydet ndërtoi një praktikë që e vendos subjektin në qendër të një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë me kamerën – pa ndërmjetësime estetizuese.
Kulmi i kësaj qasjeje materializohet në projektin afatgjatë “Regjistri Sociologjik” (1978–1990), një ndërmarrje arkivore e jashtëzakonshme që përfshin mijëra portrete të realizuara brenda hapësirave private. Këto imazhe nuk janë thjesht dokumente etnografike, por forma të një inventari vizual ku identiteti, memoria dhe përfaqësimi bashkëjetojnë në një tension të vazhdueshëm midis individit dhe kontekstit të tij material.
Në këtë kuptim, fotografia e Rydet mund të lexohet si një praktikë e “regjistrimit” në kuptimin më të thellë të fjalës: një përpjekje për të ndaluar kohën, për të sistemuar botën dhe për të ruajtur gjurmët e saj përtej transformimeve politike dhe sociale të shekullit XX.
“Regjistrit Sociologjik” konsiderohet një nga arkivat më të rëndësishëm fotografikë në Europë dhe, në vitin 2024, u përfshi në listën kombëtare polake të programit UNESCO Memory of the World.
Kjo ekspozitë është prodhuar nga The Photographers’ Gallery në partneritet me Instytut Adama Mickiewicza (bashkëfinancuar nga Ministria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë) dhe Fondacioni Zofia Rydet.
Ekspozita, e kuruar nga Clare Grafik dhe Karol Hordziej, prezantohet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” falë mbështetjes financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë.
Hapja e ekspozitës do të bëhet në datën 26.03.2026, në orën 18:00.

