Këshilla për një jetë të shëndetshme nga Leonardo da Vinci

Në universin e gjerë të mendjes së tij, ku arti, shkenca dhe filozofia ndërthureshin në një kërkim të pandërprerë për të kuptuar natyrën e botës dhe të njeriut, Leonardo da Vinçi la edhe disa këshilla të thjeshta, por thelbësore për jetën e përditshme.

Për të, shëndeti nuk ishte vetëm një çështje e trupit, por një harmoni mes zakoneve, mendjes dhe ritmit natyror të jetës.

Në këto rregulla të përmbledhura me një mençuri të kthjellët, ai na fton drejt një disipline të butë të jetesës, ku masa, maturia dhe vetëdija janë themeli i mirëqenies.

▪ Mos hani kur nuk keni oreks dhe mbajeni darkën të lehtë; trupi duhet të ushqehet, jo të rëndohet. Ushqimi është një mjet për të mbajtur gjallë energjinë, jo një mënyrë për të kënaqur teprinë.

▪ Përtypeni mirë ushqimin dhe kujdesuni që çdo gjë që hani të jetë e gatuar mirë dhe e përgatitur nga përbërës të thjeshtë. Thjeshtësia në tryezë është aleate e shëndetit.

▪ Mos e shihni ilaçin si zgjidhjen e parë. Marrja e shpeshtë e barnave, sipas tij, është këshillë e keqe; mënyra më e mirë për të ruajtur shëndetin është një jetë e rregullt dhe e matur.

▪ Ruajuni nga zemërimi dhe shmangni ajrin e rëndë e mbytës. Shpirti i trazuar dhe mjedisi i pashëndetshëm e lodhin trupin po aq sa sëmundjet.

▪ Qëndroni në këmbë për pak kohë pas ngrënies. Trupi ka nevojë për një ritëm të butë për të përpunuar ushqimin.

▪ Mos flini në mesditë, sepse gjumi i tepërt e çrregullon ritmin natyror të organizmit.

▪ Verën përziejeni me ujë, pijeni ngadalë dhe me masë, por jo ndërmjet vakteve dhe as me stomakun bosh. Maturia është gjithmonë forma më e mençur e kënaqësisë.

▪ Mos e shtyni shkuarjen në tualet. Trupi ka ritmet e veta dhe respektimi i tyre është pjesë e shëndetit.

▪ Nëse ushtroheni, mos e bëni me mundim të tepruar. Lëvizja duhet të forcojë trupin, jo ta lodhë atë.

▪ Mos u shtrini me barkun lart dhe kokën poshtë, sepse pozicioni i trupit gjatë pushimit ndikon në qarkullimin dhe frymëmarrjen.

▪ Mbulohuni mirë gjatë natës, që trupi të ruajë ngrohtësinë dhe qetësinë e nevojshme për pushim.

▪ Pushoni kokën dhe ruani gëzimin. Mendja e qetë dhe një shpirt i gëzuar janë ndër ilaçet më të mira që mund të ketë njeriu.

Në thelb, këto këshilla nuk janë vetëm rregulla higjienike, por një filozofi e të jetuarit me masë dhe vetëdije.

Në mendimin e Leonardo da Vinçit, njeriu është një mekanizëm i mrekullueshëm, një “mikrokozmos” që duhet trajtuar me respekt dhe kujdes.

Dhe shëndeti, në këtë kuptim, nuk është thjesht mungesa e sëmundjes, por ekuilibri i heshtur mes trupit, mendjes dhe natyrës.

Përgatiti: Albert Vataj