ANALIZA/ Kush i ka mbushur burgjet plot: Prokuroritë dhe Gjykatat e Rretheve apo SPAK-u dhe GJKKO?
CNA ka mundur të sigurojë shifrat zyrtare të totalit të numrit të personave që vuajnë dënimin apo janë të burgosur në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, numri i të dënuarve është rreth 1700 persona në burgjet shqiptare dhe 2744 janë të paraburgosur.
Sipas të dhënave, vetëm 3.35% i përkasin SPAK-ut, pra vetëm 3.35% e 2744 personave që mbahen në paraburgim janë shifrat e personave që mbahen në qeli me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme dhe me vendime të GJKKO-së.
Ndërkohë që në media hidhet një tymnajë: "SPAK po burgos njerëzit", "Paraburgim i padrejtë..."
Në fakt SPAK-u ka numrin më të ulët të personave në paraburgim, të cilët vijnë nga veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Numrin më të madh të të paraburgosurve në vend e ka Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, pas referimeve që bëhen nga Policia e Shtetit, përfshirë që nga ata njerëz që djegin plehrat dhe u digjet ara, njerëz që bëjnë avllitë, çatitë dhe vepra të tjera penale, të cilat nuk janë kompetencë e SPAK-ut.
Burgjet janë plot për shkak të kërkesave që vijnë nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe nga vendimet e gjykatave të rretheve.
Shifrat flasin vetë dhe ky trend ka vazhduar për vite, megjithëse sot kemi shifrën më të ulët në 10 vite. Në rast se SPAK-u do të ishte aq agresiv me paraburgimet sa dhe aq sa janë prokurorët e juridiksionit të përgjithshëm që për vepra të lehta penale kanë mbushur burgjet plot, pas apelimeve edhe kërkesave të vazhdueshme të pushtetit dhe të Kryeministrit, që fillojnë që nga viti 2014-2015 me çështjen e energjisë së paligjshme, ndërtimet pa leje, prerjet e pemëve apo deri te djegia e barit.
Është Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm ajo që i ka mbushur burgjet me të paraburgosur. Dhe shifra në përqindje të krahasuar, përfshirë dhe amnistinë e vitit 2025, e të paraburgosurve që ndodhen në qeli, në fakt është më e ulëta në 10 vitet e fundit.
Por kjo shifër që dikush e sheh si shqetësuese vjen për shkak të kërkesave të prokurorëve të rretheve në lidhje me çështje të caktuara dhe me vendimet e gjykatave të rretheve.
SPAK-u ka numrin më të ulët, vetëm 3.35%. Këtu bëhet fjalë për veprat që janë pjesë e hetimeve që kryen SPAK-u, kryesisht krimin e organizuar dhe korrupsionin. Të gjithë të paraburgosurit në shifrat që jepen janë për shkak të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm dhe apelimeve që vijnë nga pushteti politik, nga ekzekutivi.
Qëndrimeve të kërkesave të ekzekutivit u përgjigjen prokurorët me kërkesat e tyre dhe gjyqtarët që mbajnë në paraburgim njerëz për vepra shumë të lehta penale. Ky është një fakt.
Kush i mban njerëzit në burg: SPAK-u apo Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm?
Burgjet janë plot me të paraburgosur nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe jo nga SPAK-u.
Propaganda ka filluar tashmë atë shifër që përgjegjësinë e ka një institucion tjetër i drejtësisë t'ia faturojnë SPAK-ut, me një qëllim të vetëm: në fund, të lehtësohet paraburgimi apo të mos ketë të paraburgosur zyrtarë të lartë të korruptuar, ndërsa qytetarët që janë me mijëra le të rrinë burgjeve se fundja për ta është. Për ata që bëjnë korrupsion dhe janë zyrtarë të lartë, ata “s'duhen” arrestuar.
Ndaj dhe ka nisur ofensiva e Sokol Sadushit me mbështetjen edhe të kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, zotit Çela, që nuk bëjnë gjë tjetër, thjesht dhe vetëm përgjegjësinë e Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe gjykatave të rretheve kërkojnë t'ia kalojnë SPAK-ut dhe GJKKO-së./CNA

