VIDEO/ Krerët e PD-së mblidhen në seli para seancës, Berisha: Ja kush janë protestuesit e vërtetë

Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, ku do të shqyrtohet kërkesa e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Çështja pritet të shoqërohet me debate dhe tensione politike.

Sipas rendit të ditës, kjo pikë do të trajtohet e para në axhendë, menjëherë pas nisjes së seancës. Para paraqitjes së dy raporteve të përgatitura nga përfaqësuesit e opozitës dhe të shumicës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, do të marrë fjalën vetë Balluku.

Më pas opozita dhe shumica parlamentare do të paraqesin qëndrimet e tyre, përpara se çështja të hidhet në votim.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Shqipërisë ka paralajmëruar protestë para godinës së Kuvendit në të njëjtën orë me zhvillimin e seancës.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve krerët e PD-së kanë mbërritur në seli ku po diskutohen detajet e fundit të organizimit të aksionit të saj gjatë ditës së sotme.

Kryedemokrati Sali Berisha nga shkallët e PD-së deklaroi se protestuesit e vërtetë janë operatorët e televizioneve që janë të pranishëm në terren në çdo situatë.

Më herët në seli do të mbërrinte edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.