“Pjekuri e bukur”, që shkëlqen në vezullimin e një diamanti, si një shpërthim drite në sytë e adhurimit

Ka një çast kur koha ndalon së qeni armike e bukurisë dhe shndërrohet në mjeshtre të saj. Është ai çast kur rrudha nuk është më gjurmë humbjeje, por vijëzim drite; kur shikimi nuk kërkon të pushtojë, por të dëshmojë; kur prania nuk kërkon duartrokitje, por heshtje. Në atë pikë, bukuria nuk është më premtim i rinisë, por kurorë e pjekurisë.

Aty lind “pjekuria e bukur”, një vezullim që nuk verbon, por ndriçon; një diamant i formuar nën trysninë e viteve, i skalitur nga përvojat, i pastruar nga sprovat.

Është një bukuri që nuk kërkon të duket, sepse është; nuk kërkon të bindë, sepse rrezaton. Dhe ne, përballë saj, ndiejmë se kemi hyrë në një territor më të lartë të së bukurës, aty ku feminiteti bëhet dritë e vetëdijshme për veten.

Janë disa bukuri që mosha i shndërron në ikona të hirit, sharmit dhe elegancës.

Ato janë bukuri, që i kthejnë dinjitetin të bukurës, duke e lartësuar në eterin pastërtisë dhe shëlbimit. Janë bukuri që i japin një dimension të ri kuptimit dhe perceptimit tonë, për të bukurën dhe feminilitetin.

Ato janë aq të dëlira dhe të përkora, aq sa ç’i duhet një bukurie femërore të ngjitet në altarin e shëmbëllimit të krijuesit.

Ato janë, ajo që do ta kemi të vështirë ta besojmë, por kur e shohim, kuptojmë se kemi ende mundësi për të merituar mrekullinë e bukurisë.

Ato janë të tilla, sepse është shpirti i tyre që reflekton në këtë komunikim, në këtë qasje për të rrokur me të tjera përmasa një akti sublim pranie.

Ato janë gra të bukura sepse është e tillë, mëndja dhe shpirti i tyre.

Janë zotërimi i artit të rrallë të shpërfaqjes së kontaktit etern në një vështrim të vetëm.

Sepse të tilla janë... një dritim i beftë, që feks dhe zhduket, për t’u rishfaqur në një shkrepëtimë të radhës... në qiellin e trazimtë të hireve të vrenjtura ku zbardhim dhe ngrysemi dëshirues për shkëlqim dhe dritë.

Ato janë gra që thjeshtë meritojnë të adhurohen, për përsosmërinë me të cilin ato e kanë ushqyer hirin e tyre, ndërsa rrëzohen në vite dhe fluturojnë në mahnitjen, me të cilat stolisin paraqitjen.

Ato zotërojnë një bukuri sa të thjeshtë aq dhe të sofistikuar, një hir që u pluskon nga çdo pore e lëkurës, prej thellësisë së syve të shkruar, ballit meditues, rrudhave ku dalta e moshës u shkruan kodin e fshehtë të gruas.

Ajo grua që e bën të bukur mosha, duke u ndeshur me vendosmëri dhe vetëbesim në betejat e zemrës, ka zotëruar artin e mirësisë së shpirtit, dhe lartësuar gruan në altarin e përkushtimit dhe devociont.   

Ato janë të rralla, dhe të çmuara si diamantet, që nxirren nga thellësia e tokës dhe boshllëku ku ëndja jonë përpëlitet në përpjekjet për t’u ndjerë qoftë një çast të vetëm në vezullimin e këtij hiri.

“Pjekuria e bukur” nuk është një dhuratë e rastit, por një arritje. Ajo është fituar në betejat e padukshme të zemrës, në heshtjet ku janë falur dhembjet, në vendimet ku gruaja ka zgjedhur të mbetet e drejtë me veten. Ajo është diamant jo vetëm sepse shkëlqen, por sepse ka kaluar përmes errësirës së thellë për të arritur në dritë.

Dhe kur e shohim atë vezullim, atë shkrepëtimë të qetë, që lind nga mendja e ndritur dhe nga shpirti i stërvitur në mirësinë, kuptojmë se bukuria nuk është thjesht një formë, por një gjendje e qenies. Një akt sublim pranie. Një dëshmi se koha, kur takohet me dinjitetin, nuk rrënon, por lartëson.

Kjo është pjekuria që shkëlqen si diamant: e rrallë, e çmuar, dhe e denjë për t’u adhuruar.