David Herbert Lawrence, ai që predikoi se dashuria është e vetmja fe që mund ta shpëtojë njeriun nga rënia

Lawrence ishte gjithnjë një shtegtar i shqetësuar, një udhëtar i pashtershëm i ideve dhe i hapësirave, që kërkonte tek deti, malet dhe udhëtimet një pasqyrim të lirisë së brendshme. Ai i kundërvihet puritanizmit me guxim, pa u përkulur para censurës e përbuzjes publike, duke e bërë erotizmin jo një skandal, por një thirrje për çlirim. Në këtë kuptim, ai mbetet një profet i dashurisë, që pa tek bashkimi i burrit dhe gruas jo thjesht një akt sensual, por një rit sakral i rilindjes së njeriut.

“Ata që kërkojnë dashuri, vetëm sa shpallin mungesën e saj. Sepse njeriu që nuk e mban dashurinë brenda vetes, nuk e gjen kurrë jashtë; dashurinë e gjejnë vetëm ata që janë tashmë të dashuruar, dhe kurrë nuk kanë nevojë të vihen në kërkim të saj.”

Ky pohim i David Herbert Lawrence tingëllon si një ungjill i ri, si një ligjëratë profetike për një fe të shpirtit: Fenë e Dashurisë. Jo një dashuri abstrakte, as e zbrazët nga trupi, por një dashuri që i përngjan një fuqi kozmike, që bashkon shenjtërinë dhe instinktin, të brendshmen dhe të jashtmen, frymën dhe mishin. Për Lawrence, dashuria është një fe më e lartë se çdo dogmë, më e fortë se çdo moral konformist, më e gjallë se çdo predikim i urtë.

Në thelbin e saj, kjo fe nuk është një shpëtim i premtuar pas vdekjes, por një rilindje në tokë, një ndriçim që ndodh përmes takimit të dy qenieve, burrë e grua, që guxojnë të dorëzohen pa frikë te instinkti dhe ndjeshmëria, tek trupi dhe shpirti.

Lawrence lindi më 11 shtator 1885, në Eastwood të Nottinghamshire, në një botë ku tymi i minierave mbulonte qiellin dhe ku grindjet e prindërve ishin më të forta se çdo ninullë. Nga babai minator, i ashpër dhe i paarsimuar, trashëgoi egërsinë e jetës; nga nëna, një ish-mësuese e ndjeshme, trashëgoi dashurinë për fjalën, muzikën e shpirtit dhe ëndrrën për një botë më të lartë.

Kjo përplasje midis dritës dhe errësirës, kulturës dhe instinktit, do të bëhej shenja më e fortë e veprës së tij. Ai do të shndërrohej në shkrimtarin që kurrë nuk pranoi të zgjedhë mes njërës apo tjetrës, por i vuri në dialog të përhershëm, duke zbuluar tragjedinë dhe bukurinë e ekzistencës njerëzore.

Që nga romani “Bij dhe Dashnorë” e deri tek “Dashnori i Zonjës Çaterli”, Lawrence mbajti të pandryshuar bindjen se dashuria nuk është kurrë e plotë pa trupin. “Paqja e shpirtit,” thoshte ai, “nuk arrihet duke mohuar kënaqësinë, por duke e pranuar atë si pjesë të misterit të dashurisë.”

Në një epokë të sunduar nga puritanizmi, ai guxoi të thyejë tabutë dhe të shpallë se seksi nuk është vulgaritet, por një akt shenjtëror, një gjuhë e heshtur e shpirtit. Ai nuk shkruante për t’i skandalizuar të tjerët, por për të çliruar njeriun nga prangat e moralit të rremë. Dhe për këtë arsye, veprat e tij u ndoqën nga censura, ndalime, konfiskime, por edhe nga një admirim i fshehtë që nuk mund të zhbëhej.

Dashnori i Zonjës Çaterli mbeti kryengritja e tij më e madhe: një himn për trupin femëror, një revoltë kundër impotencës së një shoqërie të ngurtë, një manifest që e shpalli dashurinë si të vetmen armë për të shpëtuar qenien nga mekanizmi shkatërrues i modernitetit.

Lawrence ishte gjithmonë një udhëtar i pashuar. Nga Anglia në Itali, nga Kornualli në Alpet, nga Amerika në Meksikë, çdo tokë ishte për të një pasqyrë e shpirtit. Ai nuk kërkonte thjesht peizazhe, por simbole, vende ku njeriu mund të rigjente lidhjen e humbur me natyrën. Përmes udhëtimeve ai ushqente vizionin e tij poetik: një jetë të lirë nga makinat, nga zakonet artificiale, nga rregullat e pashpirta.

Shkrimi i tij bart gjurmën e këtyre endjeve. Përshkrimet e tij të vendeve nuk janë kurrë peizazhe të ftohta; janë trupa të gjallë, që frymojnë me njerëzit, që prekin, ndriçojnë, errësojnë. Në këtë kuptim, natyra për Lawrence nuk është sfond, por aktor i madh i dramës së dashurisë.

Lawrence u shua më 2 mars 1930, në Villa Robermond, në Vence të Provencës, i rraskapitur nga tuberkulozi, por me zjarrin krijues ende të pashuar. Në veprën e tij të fundit, Apokalipsi, ai la një britmë kundër botës që përpiqej të mbyllte gojën e artistit. Ishte një testament i pastër: arti dhe dashuria janë më të forta se çdo ndalim, më të mëdha se çdo sistem.

Ai shkroi gjithashtu si një njeri që digjet për të shpallur një të vërtetë që nuk mund të heshtet: dashuria është e vetmja fe që mund ta shpëtojë njeriun nga rënia. Dhe ndoshta, kjo është trashëgimia më e thellë që na la: një thirrje për të mos kërkuar dashurinë jashtë, por për ta zbuluar brenda vetes, aty ku jeton e vërteta më e madhe e qenies sonë.

Sot, leximi i Lawrence-it mbetet një përvojë e zjarrtë. Ai na kujton se dashuria nuk është një ornament i jetës, por vetë thelbi i saj; se trupi nuk është armik i shpirtit, por porta e tij; se vetëm duke dashur mund të rilindim. Ai vazhdon të na thërrasë me fjalët e tij të përjetshme: Mos e kërko dashurinë jashtë; zbuloje brenda vetes, aty ku banon hyjnorja më njerëzore e qenies sate.