"PS s'e kupton konceptin e imunitetit"/ Kthupi: S' është element për të mbrojtur individin nga hetimi penal
Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për kërkesën lidhur me mandatin e ministres Belinda Balluku ka hapur debat mbi mënyrën se si interpretohet imuniteti parlamentar.
I ftuar në studion e Ora News, avokati Rezart Kthupi tha se pritshmëritë për një vendim ndryshe nga ana e mazhorancës ishin minimale, ndërsa diskutimi është përqendruar te mënyra se si kuptohet funksioni i imunitetit.
“Partia Socialiste dështon të kuptojë konceptin e imunitetit. Imuniteti nuk është një element që përdoret për të mbrojtur individin nga hetimi penal. Është një mekanizëm për të provuar nëse prokuroria është e pavarur, nëse hetimi mbështetet në prova dhe nëse pas tij nuk ka qëllime politike.”-tha Kthupi.
Sipas tij, roli i Këshillit të Mandateve është i kufizuar dhe nuk lidhet me vlerësimin e peshës së provave.
“Këshilli i Mandateve duhet të shohë vetëm nëse ekziston një bazë minimale provash dhe nëse ka apo jo një prapavijë tjetër nga ajo ligjore. Nuk është një gjykatë që vlerëson nëse provat janë të mjaftueshme apo jo. Kjo është kompetencë e gjykatës.”- shtoi avokati.
Kthupi kujtoi se heqja e imunitetit është vetëm një hap procedural që i hap rrugë kërkesës së prokurorisë në gjykatë.
Sipas tij, edhe në rast se imuniteti hiqet, vendimi për çdo masë tjetër merret vetëm nga gjykata.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:

