Rama-prokurorëve: Hajdeni "të armatosur" me prova! Ballukut i uroj fatin që meriton, në betejën ligjore do të ketë në krah vetëm avokatët e saj

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar deputeten Belinda Balluku për punën e saj në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Rama i uroi fatin që meriton, cilido qoftë ai duke theksuar se në betejën ligjore në krah do të ketë vetëm avokatët e saj.

“I uroj uroj Belindës fatin që meriton çfarëdo qoftë ai në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah vetëm avokatët e saj”, tha Rama.

Po ashtu i kërkoi ndjesë për refuzimet e dorëheqjeve të bëra nga Balluku.

“I kërkoj ndjesë për refuzimet e tre dorëheqjeve të veta. I kam refuzuar pikërisht sepse drejtësia, pushteti i pavarur gjyqësor, u kuturis pa ose me dashje këtë do ta mësojmë dhe të jeni të sigurt që po e mësova do ua tregoj në territorin e pavarësisë së pushtetit të pavarur ekzekutiv dhe legjislativ. Pushteti këtu buron nga vota e popullit. Kjo ishte dhe do jetë e patolerushme sa të jem unë në këtë detyrë”, u shpreh Rama.

MESAZHI PROKUROREVE

Kryeministri Edi Rama u është drejtuar prokurorëve që kur t’i drejtohen Kuvendit për heqjen e lirisë duhet të shkojnë "të armatosur" me prova.

Rama tha se drejtësia le ta hetojë Balllukun deri në fund, por të mos fyejnë inteligjencën e tyre duke thënë se rrezikon të prishë provat.

“Nuk ka imunitet ndaj hetimit, përgjimit, ndaj procesit penal për askënd për ne, nuk ekziston imuniteti në Shqipëri apo në vende të tjera të BE-së, që nuk mundesh dot të zësh me gojë emrin e një deputeti, jo më pa shkuar në Parlament dhe të thuash a mund të hetoj unë këtë.

Ne kemi vetëm kufizim ose jo të lirisë. Pra, një person kufizohet në gjendje të lirë apo të çohet në burg me votën tonë. Kur të vijnë për të kërkuar heqjen e lirisë duhet të vijnë 'të armatosur' me prova, siç erdhën në dy rastet e tjera.

T'i vish Kuvendit me procesverbalin e një incizimi qesharak për të kërkuar arrest pa gjyq. Le ta hetojnë deri në fund Belinda Ballukun, por të mos fyejnë inteligjencën tonë duke thënë se rrezikon të prishë provat. Provat s’ua rrezikonte as kur ishte zëvendëskryeministre e jo më sot që është thjesht deputete”, tha Rama.