Zhupa: Presion mësuesve për propagandë. Kumbaro nuk njeh limite
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar kundër presionit të qeverisë ndaj mësuesve për t’i përdorur në funksion të propagandës në rrjetet sociale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Zhupa shprehet se detyrimi i mësuesve për të promovuar aktivitetet e qeverisë apo për të ndërtuar imazhin e ministres Mirela Kumbaro përbën një abuzim të hapur me pushtetin dhe cenon rolin e arsimit.
Sipas saj, shkolla nuk duhet të shndërrohet në një zyrë PR-i për qeverinë, ndërsa kërkon që mësuesit të lirohen nga çdo presion politik dhe të lejohen të fokusohen vetëm në misionin e tyre për edukimin e brezave të rinj.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Të detyrosh mësuesit të shndërrohen në zëdhënës të propagandës së qeverisë është një akt i papranueshëm dhe një abuzim i hapur me detyrën dhe pushtetin. Mësuesit nuk janë ushtarë të marketingut politik dhe as instrumente për të ndërtuar imazhin e Mirela Kumbaros në rrjetet sociale.
Ky është një tjetër shembull i presionit që i bëhet mësuesve për t’i shërbyer pushtetit. Kur qeveria arrin deri aty sa të diktojë edhe mënyrën se si duhet të postojnë në rrjetet sociale, kjo nuk është më informim institucional, është propagandë e organizuar.
Shkolla nuk është zyrë PR-i e qeverisë. Shkolla është vendi ku formohen qytetarët e së nesërmes. Politizimi i mësuesve dhe përdorimi i tyre për qëllime imazhi është një praktikë e dëmshme që duhet ndalur menjëherë.
E dënoj me forcë këtë qasje dhe kërkoj ministres Kumbaro e cila nuk njeh limite, që mësuesit të lirohen nga çdo presion politik, në mënyrë që të bëjnë misionin e tyre për të edukuar dhe përgatitur brezat e ardhshëm.

