PS rrëzon kërkesën e SPAK, Manja: Ja pse mazhoranca nuk e autorizon arrestimin e Belinda Ballukut

Partia Socialiste ka mbledhur grupin e parlamentar, ku kreut të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja i është besuar leximi i raportit të nxjerrë nga Këshilli i Mandateve, në lidhje me kërkesën e SPAK, të dorëzuar më 16 dhjetor, për heqjen e imunitetit dhe më tej arrestimin e Belinda Ballukut.

Manja tha se aktualisht jemi në një realitet tjetër, ku vetë Balluku nuk mban më detyrën e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës.

Në mbledhjen e kësaj të hëne, kreu i Komisionit të Ligjeve argumentoi se nuk përmbushen kushtet ligjore për të rënduar masën e sigurisë ndaj ish-ministres, nga “ndalimi i daljes jashtë shtetit” në “arrest me burg”.

Në raportin e prezantuar në emër të shumicës, Manja theksoi se situata juridike e deputetes Balluku ka ndryshuar ndjeshëm, pasi ajo nuk ushtron më funksione ekzekutive si anëtare e Këshillit të Ministrave. Ky fakt, sipas Manjës, e bën “thelbësisht hipotetike” narrativën e SPAK për rreziqe të tilla si prishja e provave, arratisja apo kryerja e një vepre tjetër penale, pasi këto rreziqe lidheshin drejtpërdrejt me postin e saj ministror.

Kërkesa e SPAK nuk ishte për vendosjen e një mase sigurimi për herë të parë, por për zëvendësimin e një mase ekzistuese me një më të rëndë. Manja tha se sipas Kodit të Procedurës Penale, një masë e tillë mund të rëndohet vetëm në dy raste: kur personi nën hetim shkel masën ekzistuese, ose kur nevojat e sigurimit janë rënduar.

“Duke konstatuar se deputetja Balluku e ka respektuar plotësisht masën e ndalimit të daljes jashtë vendit, Këshilli u fokusua vetëm tek argumenti i dytë”, u shpreh Manja.

Po ashtu, raporti i PS-së i lexuar nga Ulsi Manja vlerësoi se, bazuar në materialet e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, nuk provohet një rëndim i nevojave të sigurimit që të justifikojë masën ekstreme të arrestit.

Gjithashtu, Manja tha se roli i Kuvendit nuk është të gjykojë fajësinë apo pafajësinë, një kompetencë ekskluzive e gjykatës, por të veprojë si një “filtër kushtetues” për të garantuar balancën mes pushteteve dhe për të mbrojtur mandatin e deputetit nga ndërhyrje të mundshme me prapavijë politike.

Në këtë kontekst, raporti përmendi faktin se kallëzimet penale fillestare kundër Ballukut janë bërë nga eksponentë të lartë të opozitës, Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi, gjatë një periudhe të nxehtë politike parazgjedhore në vitin 2024.

Megjithatë, u sqarua se Këshilli nuk u ndal tek ky aspekt, duke respektuar qëndrimin e mbrojtjes dhe vetë deputetes për ta trajtuar çështjen si një betejë thjesht ligjore.

Ndryshe nga shumica, anëtarët e opozitës në Këshill rekomanduan miratimin e kërkesës së SPAK, duke argumentuar se roli i Kuvendit duhet të jetë vetëm një verifikim formal i kërkesës së prokurorisë. Ky qëndrim u cilësua nga Manja si një “qasje reduktuese” që bie ndesh me funksionin kontrollues dhe balancues që i jep Kushtetuta Parlamentit.

Ndërkaq, vendimi final për autorizimin ose jo të arrestimit të deputetes Balluku do të merret me votë në seancën plenare të Kuvendit.

"Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës, 260,288 dhe 289 të Procedurës Penale, ne si anëtarë të shumicës parlamentare në Këshillin për Mandatet i rekomandojmë seancës plenare e rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit të heqjes së imunitetit për Ballukun.

Nuk rezulton të jenë evidentuar domosdoshmëri për marrjen e një mase të tillë. Rekomandimi nuk pengon SPAK të vijojë hetimet, ka një masë sigurimi personal, pengimi nga dalja jashtë vendit, që lejon vijimin e procedimit penal. Dhe ne këtë e konsiderojmë një çështje që tashmë i takon drejtësisë, por masat e sigurimit personal nuk lidhen me ekzistencën ose jo të veprës penale. Të presim përfundimin e hetimeve.

Jo më kot e lash në fund dua të sjell në vëmendjen e grupit që nga raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, të SPAK, evidentohet qartë se për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera ka praktikë të konsoliduar për hetim pa masë sigurimi personale. Ka të bëjë me standardet e hetimit për këtë vepër penale", deklaroi Ulsi Manja ne perfundim te raportit.

PJESË NGA RAPORTI I ULSI MANJËS

Kolegë, deputetë, në emër të anëtarëve të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, dua të prezantoj sot raportin rekomandues tonin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënien e autorizimit për arrestimin, heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, depozituar në Kuvendin e Shqipërisë me datën 16.12.2025.

Që në krye të herës, më lejoni të falënderoj kolegët e mi në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për përgjegjësinë dhe seriozitetin që kemi pasur në trajtimin e kësaj çështje.

Kemi diskutuar sigurisht në lidhje me relacionin dhe pretendimet e palëve në këtë këshill dhe në përfundim kemi arritur në këtë raport rekomandues që unë do t'ju prezantoj sot në dakordësi të plotë me njëri-tjetrin.

Të nderuar kolegë, sot që po diskutojmë këtë raport rekomandues ka ndodhur një realitet i ri, pra jemi përpara një realiteti të ri juridik dhe institucional.

Deputetja Belinda Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive si anëtare e Këshillit të Ministrave. Si pasojë e ndryshimeve në përbërjen e qeverisë, në përputhje me nenet 95, 96, 98 dhe 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Për pasojë, masa e sigurimit personal e pezullimit nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale, por në të njëjtën linjë arsyetimi, edhe narrativa mbi të cilën Prokuroria e Posaçme ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal, si rreziku i prishjes së provave, i arratisjes apo i kryerjes së një vepre tjetër penale, mbetet thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhet drejtpërsëdrejti me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja në fjalë nuk i ushtron më.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se paraqitja e këtij raporti përpara Kuvendit është një procedurë thjesht formale. Përkundrazi, ajo përfaqëson një përgjegjësi të drejtpërdrejtë kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, është një shprehje e respektit institucional ndaj drejtësisë, por mbi të gjitha është një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë që na kanë besuar përfaqësimin e tyre.

Aq më tepër në një situatë kur kjo çështje, e cila në thelb duhet të mbetej një çështje e drejtësisë dhe vetëm e drejtësisë, është shndërruar në mënyrë të padrejtë në një debat të mbingarkuar politikisht në sytë e opinionit publik.

Në vend të një procesi të qetë dhe të rregullt ligjor, shpesh kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një gjykim publik, në një tribunal mediatik që bie ndesh me standardet e shtetit të së drejtës dhe me parimin themelor të prezumimit të pafajësisë. Pikërisht për këtë arsye është e domosdoshme që ne si shumicë parlamentare të flasim qartë, të ndajmë politikën nga drejtësia, zhurmën nga faktet dhe gjykimin publik nga procesi i rregullt ligjor.

Të nderuar kolegë, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në fakt, në rastin e deputetes Belinda Balluku, ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë për marrjen e autorizimit për arrestim apo heqje lirie, kontroll banese apo kontroll personal, sepse nuk është një kërkesë për caktimin e një mase sigurimi për herë të parë.

Nuk jemi në këtë rast. Kuvendit në këtë rast i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e të cilës sot janë në fuqi ndaj deputetes Belinda Balluku, siç është ajo e ndalimit të jashtë shtetit, të daljes jashtë shtetit, me një masë sigurimi më të rëndë, atë të arrestit, për një vepër penale për të cilën Prokuroria e Posaçme po heton që në gushtin e vitit 2024. Pra, jemi në kushtet kur kërkohet zëvendësimi i kësaj mase. Zëvendësimi i masës, referuar parashikimeve ligjore të Kodit të Procedurës Penale, saktësisht neni 260, pika 3, mund të kërkohet në dy raste: kur janë rënduar nevojat e sigurimit, ose kur personi ndaj të cilit është caktuar një masë sigurimi personal, nuk ka respektuar masën e vendosur nga gjykata. Rasti i dytë në rastin e kësaj kërkese përjashtohet.

Deputetja Belinda Balluku, siç provohet nga relacioni i Prokurorisë së Posaçme dhe arsyetimi i fakteve dhe provat që ajo ka bashkangjitur këtij relacioni, provohet qartësisht se e ka respektuar në mënyrë korrekte masën e sigurimit personal, atë të daljes jashtë shtetit. Kështu që në vlerësimin tonë si Këshill, ngelet vetëm rëndimi i masave të sigurimit, për ato shkaqe që ka listuar në kërkesën e saj Prokuroria e Posaçme, që ka të bëjë me shtimin e episodeve të veprës penale, rrezikun e prishjes së provave, rrezikun e ikjes apo rrezikun e kryerjes së një vepre penale më të rëndë.

Edhe vlerësimi i anëtarëve të Këshillit të shumicës në këtë raport rekomandues u referohet pikërisht këtyre kërkesave. Por më lejoni që në krye të herës të jemi i qartë për opinionin publik, se Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë dhe as zëvendësojë gjykatën në këtë procedurë. Kuvendi ushtron një filtër kushtetues dhe në vlerësimin tonë, ky filtër nuk mund të jetë formal.

Ai përbën një mekanizëm thelbësor për ruajtjen e balancës institucionale dhe respektimin e rolit që Kushtetuta i ka dhënë pushtetit legjislativ në raport me pushtetet e tjera. Juridiksioni dhe kompetenca e Kuvendit në rastin konkret bazohet në nenin 73, pika 2 të Kushtetutës, në nenin 260, 288, 289 dhe 13 e 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, që ka përcaktuar Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin si organin e Kuvendit që shqyrton çdo kërkesë të organit të akuzës, sa herë kërkohet dhënia e autorizimit për arrestin e një deputeti, apo për zëvendësimin e një mase sigurimi personal me një masë tjetër më të rëndë, siç është rasti konkret.

Neni 73 i Kushtetutës e përcakton shumë qartë që deputeti nuk mund të arrestohet apo t'i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Kuvendit. Kjo dispozitë kushtetuese vendos një garanci institucionale për ushtrimin e mandatit përfaqësues dhe për funksionimin e pavarur të pushtetit legjislativ.

Në këtë linjë me këtë parashikim kushtetues shkon dhe neni 288 i Kodit të Procedurës Penale, ku Prokuroria, sa herë që e kërkon dhënien e autorizimit nga Kuvendi, duhet të paraqesë në Kuvend një relacion të arsyetuar dhe me provat që e mbështesin kërkesën.

Duke iu referuar këtij kuadri normativ, kompetenca e Kuvendit në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme është e natyrës proceduriale kushtetuese dhe jo gjyqësore. Kuvendi nuk gjykon fajësinë dhe as themelësinë e provave, pasi ky atribut i përket ekskluzivisht gjykatës kompetente.

Kompetenca e Kuvendit në rastin konkret kufizohet: në vlerësimin e kontrollit të respektimit të procedurës penale sa i takon ekzistencës së kushteve ligjore për të dhënë autorizimin për zëvendësimin e masës së sigurimit personal të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë atë të arrestit në burg apo në shtëpi, heqje lirie në çfarëdo lloj forme, kontroll personal dhe të banesës së deputetes Belinda Balluku, të rendimit të nevojave të sigurimit, të ekzistencës të rrethanave të reja konkrete, të proporcionalitetit të ndërhyrjes në mandat, dhe të domosdoshmërisë së arrestit si masë përjashtimore.

Dy, nëse kërkesa është bërë nën ndikime politike apo të natyrave të tjera të paligjshme. Kuvendi sigurisht nuk bën vlerësimin e provave, por vlerësimin e kushteve dhe rrethanave për të krijuar bindjen nëse janë rënduar nevojat e masës së parë të sigurimit. Dhe katër, nëse plotësohen apo jo kushtet, Kuvendi duhet të bazohet në gjykimin e vet, duke iu referuar relacionit të organit të akuzës dhe provave që e mbështesin këtë relacion.

Tani në lidhje me faktin nëse kërkesa është bërë nën ndikime politike apo të natyrave të tjera të paligjshme, më lejoni të ndaloj në arsyetimin e këtij roli që ka Kuvendi, shumë shkurt. Ndonëse nga mbrojtësit e deputetes Belinda Balluku në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandatit dhe Imuniteteve nuk pati pretendime për një kërkesë të motivuar politikisht në rastin e ushtrimit të ndjekjes penale dhe hetimit ndaj deputetes Belinda Balluku, ama Këshilli konstaton një fakt publik.

Kallëzimi i parë i bërë në gusht të vitit 2024 është bërë nga Lulzim Basha, ish-kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Dhe kallëzimi i dytë është bërë në shtator të vitit 2024 nga, në mos gaboj, sekretari i Partisë Demokratike, deputeti Gazment Bardhi, sot kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe anëtar në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, për të cilin unë e kam theksuar dhe në mbledhjen e Këshillit që në rastin konkret ka qenë në kushtet e konfliktit të pastër të interesit pasi është edhe një nga kallëzuesit e kësaj vepre.

Më vonë pastaj, në vitin 2025, këto dy procedime penale janë bashkuar në një procedim penal të vetëm dhe që sot mban një numër unik procedimi mbi bazën e të cilit po zhvillohen hetimet ndaj deputetes Belinda Balluku.

Vlen të theksohet se viti 2024, pra koha kur u bënë kallëzimet për këto, për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike, të parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal, që nuk është një vepër korruptive, është një vepër me natyrë administrativo-penale, koincidon me një periudhë parazgjedhore dhe me një situatë sigurisht të nxehtë politike.

Pastaj u zhvilluan zgjedhjet e 11 majit 2025 dhe fill pas zgjedhjeve kemi përsëri një ashpërsim të gjuhës politike në këtë drejtim, çka e ka shoqëruar përgjatë gjithë kohës këtë proces. Por në analizën tonë dhe në vlerësimin tonë, ne nuk jemi ndalur në këtë pikë. Nuk jemi ndalur në këtë pikë sepse respektojmë plotësisht qëndrimin e mbrojtjes, por dhe të qëndrimin publik të deputetes Belinda Balluku, që e konsiderojnë këtë çështje drejtësie dhe vetëm drejtësie. Dhe është fakt që në Këshill i janë shmangur këtij qëndrimi në raport me rolin dhe natyrën e shqyrtimit që bën Kuvendi.

Pra, ne në këtë pikë i qëndrojmë dhe respektojmë qëndrimin publik por dhe të mbrojtjes së koleges tonë Belinda Balluku. Për rrjedhojë, në vlerësimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme sa i takon zëvendësimit të masës së sigurimit personal të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë që parashikon Kodi, atë të arrestit në burg, ne jemi ndaluar në vlerësimin tonë vetëm sa i takon strikt nevojës së rëndimit të nevojave të masës së sigurimit dhe nëse përmbushen kushtet ligjore për zëvendësimin e kësaj mase, sa i takon rrezikut të prishjes së provave, rrezikut të ikjes dhe rrezikut të kryerjes së një vepre penale më të rëndë.

 Është me interes për publikun, por dhe ju të nderuar kolegë deputetë, të theksohet një fakt me shumë rëndësi. Në vlerësimin tonë jemi bazuar strikt në provat dhe arsyetimin që bashkëshoqëron kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe i kemi qëndruar besnik nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale dhe nuk kemi bërë një analizë apo vlerësim gjyqësor të provave. Nuk është ky roli i Kuvendit.

Roli i Kuvendit është ai i një kontrolli kushtetues dhe parlamentar nëse kërkesa e ardhur nga Prokuroria e Posaçme është strikt proceduriale. Tani në Këshill kemi patur diskutime. Raporti, nuk arritëm të dalim me një raport të përbashkët pasi opozita ka një qëndrim tjetër nga ne, dhe raporti që rekomandon dhënien e autorizimit në fakt, që është i opozitës, i anëtarëve të Këshillit të Mandateve i opozitës, mbron tezën se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë duhet të kufizohet në një verifikim formal të kërkesës së Prokurorisë dhe të mos ndërhyjë fare në vlerësimin e nevojës së masës së sigurimit. Por në vlerësimin tonë si anëtarë të Këshillit të Mandateve të shumicës, kjo qasje reduktuese në fakt nuk përputhet me frymën dhe funksionin e nenit 73 të Kushtetutës.

Trajtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme në frymën dhe gërmën e normës kushtetuese përbën edhe thelbin e zgjidhjes së çështjes që shtrohet sot përpara Kuvendit të Shqipërisë. Neni 73 i Kushtetutës i jep Kuvendit të Republikës së Shqipërisë një rol jo thjesht formal në disponimin për dhënien ose jo të autorizimit për arrestimin e një deputeti.

Autorizimi është një akt vullneti relevant kushtetues, i cili mbart përgjegjësi politike dhe juridike. Thënë më qartë, nëse dhënia e këtij autorizimi do të ishte i detyrueshëm sa herë kërkohet nga Prokuroria, atëherë dispozita kushtetuese do të ishte e panevojshme dhe Kuvendi do të shndërrohej në një organ formal, por pa rol real balancues në rastin konkret. E ka theksuar Gjykata Kushtetuese këtë në jurisprudencën e vet, edhe jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por dhe opinionet e vazhdueshme të Komisionit të Venecias.