“Pabarazi në tregun e punës”/ Tabaku: Punë dhe paga dinjitoze për çdo grua shqiptare

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka deklaruar në ditën e gruas (8 Mars) se gratë në Shqipëri vijojnë të përballen me sfida serioze në tregun e punës dhe me më pak mundësi ekonomike krahasuar me burrat.

Në një reagim në rrjete sociale, Tabaku theksoi se kjo ditë nuk duhet të mbetet vetëm te urimet dhe lulet, por duhet të shoqërohet me veprime konkrete për përmirësimin e pozitës së grave në shoqëri.

Sipas saj, të dhënat tregojnë se vetëm rreth 62% e grave janë të punësuara, ndërsa për burrat kjo shifër arrin rreth 75%, çka sipas saj dëshmon për pabarazi të dukshme në tregun e punës.

“Kjo do të thotë më pak mundësi ekonomike, më pak pavarësi dhe shpesh më shumë pasiguri për familjen”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokratike theksoi se gratë nuk kanë nevojë për më shumë fjalë, por për më shumë mundësi reale për punësim dhe paga dinjitoze.

Sipas saj, një shoqëri që respekton gratë është një shoqëri që ndërton të ardhmen dhe për këtë arsye institucionet duhet të angazhohen që çdo vajzë dhe çdo grua në Shqipëri të ketë mundësinë të ndërtojë jetën e saj me dinjitet, siguri dhe barazi.