Takimi në PD për 8 Marsin/ Vokshi: Është ngritur një sistem që përpiqet të heshtë zërin e grave

Në një aktivitet të organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas, kryetarja e saj dhe deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, mbajti një fjalim mbi rolin e grave në shoqëri dhe politikë.

Ajo tha se kontributi i grave nuk duhet të reduktohet vetëm në një ditë simbolike si 8 Marsi, por të vlerësohet gjatë gjithë vitit.

“365 ditë duhet t’u dedikohen grave dhe vajzave,” – u shpreh Vokshi.

Duke folur për historinë, ajo nënvizoi se gratë nuk kanë qenë thjesht pjesë e saj, por “kanë ndryshuar historinë”. Vokshi kërkoi një përfaqësim më të madh politik për gratë, duke e konsideruar kuotën aktuale prej 30% të pamjaftueshme, pasi gratë përbëjnë mbi gjysmën e popullsisë.

“A jemi ne të kënaqura me vetëm 30% kur gratë përbëjnë më shumë se 50%? Sigurisht që jo,” – deklaroi Vokshi.

Vokshi kritikoi edhe qeverinë aktuale ku tha se kryeministri Edi Rama se ka ngritur një sistem që synon të heshtë dhe të zvogëlojë zërin e grave.

“Ka ngritur një sistem që nuk mbron gratë dhe vajzat, por i dhunon dhe i denigron. Shumë gra detyrohen të heshtin ose të largohen nga vendi,” – tha ajo.

Në përfundim, Vokshi theksoi se fuqia e grave qëndron në aftësinë e tyre për të mos u dorëzuar përballë vështirësive:

“Ju ngriheni më të forta, ju ngriheni më të fuqishme.”