"Jola Hysën e falënderoj për kontributin"/ Berisha zbulon prapaskenat e largimit të Spiropalit: Do ketë edhe shkarkime të tjera!
Kryetari i PD, Sali Berisha tregoi sot se si e mësoi shkarkimin e Elisa Spiropalit nga ministre për Europën dhe Punët e Jashtme, disa javë para se kryeministri Edi Rama të merrte vendimin.
Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se shkarkimi i Spiropalit erdhi pasi kjo e fundit nuk e mbrojti Ballukun në takimet me ndërkombëtarët.
Më tej Berisha paralajmëroi se sipas tij do të ketë edhe shkarkime të tjera në qeveri.
“Në të gjitha veprimet, Lubia e ka skllav Ramën. Pse Rama është skllav i saj? Akvititeti politik i tyre është 25–vjeçar. Ka qenë asistentja kryesore në Bashki, sipas OSBE Rama ka 200 mln euro në bankat offshore.
Dhe Rama nuk e kundërshtoi kurrë. Ramën e komandon plotësisht Lubia. Ju e keni konstatuar se si Rama është bërë avokat më kryesor i saj qoftë në gjykata.
Gjë të cilën Spiropali nuk e mori përsipër. Spiropali, në çdo takim, çështja e parë ishte çështja Balluku, Spiropali shprehej në mënyrë evazive që drejtësia të mos pengohet dhe të gjitha këto nga shoqëruesit e saj i shkonin Ramës dhe Lubisë. Unë e pata paralajmëruar se e mora vesh.
Por do të ketë edhe të tjerë… Ata që rrahin gjoksin për të, Ballukun, në takimin me të huajt ça nuk thonë për atë. Lidhja e Lubi Ballukut me Edi Ramën është lidhje në krim. Prandaj nuk e lëshon dot.
Do të ketë edhe koka të tjera. Si ia mbylli gojën Taos? I nxori regjistrimet e Bistrit. Ajo Ramën e ka të përgjuar në çdo lloj drejtimi”,- u shpreh Berisha.
"Jola Hysën e falënderoj për kontributin"
Laert Mera: Doktor, dje ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet edhe sekretarja për marrëdhëniet me publikun, Jola Hysaj. Çfarë po bëhet me organizimin në PD se ikjet sidoqoftë nuk janë të mira, pavarësisht justifikimeve?
Sali Berisha: Jola Hysaj më ka dërguar dje një mesazh në të cilin më falënderon për bashkëpunimin, por më njofton se ka vendosur të japë dorëheqjen. Dhe unë e falënderoj për kontributin që ka bërë dhe respektoj plotësisht vendimin e saj.
Dorëheqjet janë një akt normal në një parti demokratike dhe në një shoqëri të lirë. Në këtë rast ajo dha kontributin e saj, nuk mund t’i mohohet. Por nga ana tjetër ajo arriti në përfundimin se duhet të ndërpresë aktivitetin e saj politik për arsye të saj dhe kjo është një zgjidhje që ka bërë dhe unë ia respektoj.

