Rama promovon librin “Në Sofrën e Hënës”, reflektime mbi iftarët dhe kulturën islame në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama njoftoi dhe promovoi librin e tij të ri me titull “Në Sofrën e Hënës”, një përmbledhje reflektimesh dhe përvojash personale që lidhen me iftarët që ai ka organizuar si kryeministër, ku theksoi se miqtë myslimanë ishin një shtysë e rëndësishme për të shkruar këtë libër.

Ai shpjegoi gjithashtu se ka zgjedhur që prezantimi të jetë moderuar dhe jo në Panairin e Librit për të mos krijuar zhurmë të panevojshme dhe për të respektuar rëndësinë e këtij eventi.

“Mbas një sërë “presionesh” nga miq, besimtarë, praktikantë, adhurues të islamit, vendosa të bëj një përmbledhje të reflektimeve të mia në zinxhirin e iftarëve të shtruar në funksionin e kryeministrit.

Së bashku me Arlinda Dudaj bëmë një libër, ishte gati për panairin e librit, por unë nuk dëshiroja që të shfaqej në panair dhe të krijonte sadopak ose sadoshumë, aq më keq, hije mbi të tjerët për shkak të emrit, të pozicionit, të zhurmës së natyrshme që do të ngjallej dhe për hir të së vërtetës, kam pasur gjatë gjithë kohës një lloj ndrojtje në raport me promovimin e librit, të cilin përsëri e organizuan miqtë.

Libri titullohet “Në Sofrën e Hënës”,  është si thuash përmbledhja e një përvoje, e një përvoje që unë kam pasur fatin ta kem për shkak të funksionit, pasi vit pas viti kam shtruar iftarin e kryeministrit së bashku me Lindën dhe në këtë proces kam kuptuar dhe kam shijuar faktin se sofra e iftarit nuk është thjesht momenti i atyre që agjërojnë, por është një moment i bukur takimi rreth tryezës, i njerëzve që mund të vijnë nga rrugë dhe botëkuptime të ndryshme, dhe pikërisht në atë pikëtakim që nuk i ngjan asfare tryezave ku shqiptarët mblidhen rregullisht si konsumatorë të paepur në restorante, sidomos në fundjava, por ka specifikën e një vetëpërmbajtjeje, ka specifikën e një riti që të jep të kuptosh se agjërimi, se vetë Ramazani është përtej gjithë kalendarit dhe gjithë atyre parimeve që ndjekin ata që agjërojnë si besimtarë të devotshëm, një ushtrim urtësie, është një edukatë sociale, është një mësim i bukur njerëzillëku dhe pikërisht për të gjitha këto arsye, m’u duk e udhës që ta ndjek fillimisht, këshillën dhe pastaj t’i dorëzohem presionit të miqve, duke ju siguruar që eksperienca e iftarëve ka qenë shumë pasuruese për mua, edhe për një arsye tjetër, sepse më kanë shtyrë të njoh nga më afër një kulturë, një traditë, një mënyrë të të parit të botës që vjen nga Libri i Madh i Shenjtë i Islamit dhe nga ana tjetër, të mësoj më shumë për islamin shqiptar, për historinë e Komunitetit Mysliman në Shqipëri dhe patjetër që të lehtësoj veten edhe nga paragjykime që, pavarësisht se gjithmonë kam menduar që nuk mund të më influencojnë, gjithsesi, diku kanë qenë të fjetura, siç janë në mendjen e çdo shqiptari dhe të shoqëruara me ato stereotipet që pastaj ushqehen dhe nga gjithfarëlloj injorantësh dhe njerëzish të ligj që luajnë me cingla, me librat e shenjtë”,  theksoi Rama.