Protestat e PD-së, Rama: Jashtëderdhje njerëzore, pocaqi sa për foto
Edi Rama ka shpërthyer në ofendime për protestat e mbajtura nga Partia Demokratike, te Kryeministria ku kërkohet largimi i tij për shkak të korrupsionit dhe aferave në qeveri.
Në një prononcim për mediat pas inspektimit të aksit provizor Librazhd-Prrenjas, Rama i cilësoi protestat e PD-së si jashtëderdhje njerëzore dhe pocaqi, që sipas tij synojnë vetëm të bëjnë zhurmë se nuk kanë asnjë rezultat.
Sipas Ramës, qëllimi i PD-së me protestat është vetëm të prodhojnë foto me zjarre e dhunë që të dalin nëpër botë dhe të thonë mos ejani në Shqipëri se ka korrupsion.
“Përtej gjërave që nuk shkojnë, tërësia e gjërave flet vetë. Ne nuk kemi për ta lejuar të na ndodhë përsëri ajo që u ka ndodh shqiptarëve shumë herë në histori, kur i janë afruar momentit për të marrë kthesën e madhe, janë ngatërruar me këmbët e tyre për shkak të shqiptarëve. Më të egrit armiq të shqiptarëve, janë shqiptarët. Gjithë ato çfarë bëhet në ato pocaqi protesta, që janë si jashtëderdhje njerëzore në bulevard, bëhet vetëm për fotografitë që prodhohen nga zjarret dhe nga dhuna për tu çuar nëpër botë. Për të thënë kjo është Shqipëria, mësoi shkoni në Shqipëri, mos bëni tur, mos investoni, mos besoni tek Shqipëria, se është e zhytur në korrupsion”,- tha Rama ndër të tjera.
