Doganat shqiptare drejt një etape të re, presidenca e CEFTA-s drejt integrimit ekonomik rajonal
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim me Drejtoren e Sekretariatit të CEFTA-s, Pranvera Kastrati. Në fokus të bisedës ishte roli i Shqipërisë në kuadër të Presidencës së CEFTA-s për vitin 2026 dhe prioritetet në fushën e bashkëpunimit doganor.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e CEFTA-s si një mekanizëm që ndihmon në forcimin e stabilitetit ekonomik dhe sigurisë tregtare në rajon, si edhe për afrimin e vendeve anëtare me tregun e përbashkët europian. Nga ana e Doganave Shqiptare u nënvizua se bashkëpunimi rajonal shihet si një mjet praktik për rritjen e transparencës, përshpejtimin e procedurave dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për bizneset.
Pranvera Kastrati vlerësoi drejtimin nga Shqipëria gjatë vitit 2025 të Nënkomitetit për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, duke e cilësuar një proces me rezultate konkrete. Ndër arritjet u përmendën krijimi i Organit Këshillimor për bashkëpunimin doganor në fushën e klasifikimit tarifor dhe rregullave të origjinës, forcimi i mekanizmave të menaxhimit të riskut, zhvillimi i programit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO) dhe nxitja e tregtisë elektronike në vendet e CEFTA-s.
Sipas saj, koordinimi më i ngushtë në menaxhimin e riskut, shkëmbimin elektronik të të dhënave dhe zbatimin e rregullave të përbashkëta të origjinës është i domosdoshëm për të garantuar një tregti më të sigurt dhe më të lehtësuar në rajon.
Takimi u mbyll me angazhimin për të vijuar bashkëpunimin me hapa konkretë, duke e parë Presidencën e Shqipërisë në CEFTA si një mundësi për të forcuar arritjet dhe për të përmirësuar klimën e biznesit dhe integrimin ekonomik rajonal.

