"Adoleshentët me IQ më të ulët sesa brezat paraardhës"/ Semanaj: IA po vr*t kreativitetin dhe logjikën te të rinjtë
Në një lidhje direkte për emisionin “Epiqendër” të OraNews, eksperti i IT, Besmir Semanaj, foli për rreziqet që sjell përdorimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale tek të rinjtë.
Ai paralajmëron se mbështetja e tepruar tek AI mund të dëmtojë kreativitetin dhe aftësitë e arsyetimit logjik tek fëmijët dhe adoleshentët.
"Përdorimi i AI në moshë të vogël rrezikon të vrasë kreativitetin e brezit të ri dhe të pengojë zhvillimin e aftësive logjike."- tha Semanaj.
Semanaj shpjegoi se përdorimi i platformave si ChatGPT për detyrat e shkollës pa përfshirë procesin e të menduarit, krijon varësi nga teknologjia dhe ul aftësitë intelektuale.
Ai krahasoi fenomenin me makinën llogaritëse, e cila ka bërë që shumë njerëz të humbasin aftësinë për veprime matematikore mendërisht.
"Brezi aktual i adoleshentëve ka IQ mesatar më të ulët sesa brezi paraardhës. Përdorimi i pakontrolluar i AI mund ta përkeqësojë situatën."- shtoi eksperti.
Semanaj saktëson se AI mbetet një mjet i fuqishëm për shkencat ekzakte dhe mund të rrisë produktivitetin, por përdorimi i saj duhet të jetë i kontrolluar dhe i udhëzuar për të mos cenuar zhvillimin intelektual të të rinjve.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "EPIQENDËR":

