Spastrime në radhët e larta ushtarake, Kina "fshin" tre gjeneralë nga organi politik
Kina ka larguar tre gjeneralë të dalë në pension nga një prej organeve më të rëndësishme politike këshillimore, vetëm pak ditë para nisjes së mbledhjes vjetore më të madhe politike në vend, të njohur si “Dy Sesionet”, sipas BBC.
Sipas medieve shtetërore, Konferenca Konsultative Politike e Popullit Kinez (CPPCC) votoi për përjashtimin e Han Weiguo, Gao Jin dhe Liu Lei nga radhët e saj. Autoritetet nuk dhanë arsye zyrtare për këtë vendim, por ai vjen në një moment kur spastrimet në nivelet e larta të ushtrisë janë shtuar ndjeshëm.
Han Weiguo, 70 vjeç, ka shërbyer si komandant i forcave tokësore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore nga viti 2017 deri në daljen në pension në vitin 2021. Edhe pasuesit e tij janë përballur me masa të ngjashme muajt e fundit.
Liu Lei, gjithashtu 70 vjeç, ka qenë komisar politik i ushtrisë deri në vitin 2022, ndërsa Gao Jin ka drejtuar më parë Forcën e Mbështetjes Strategjike dhe më pas Departamentin e Mbështetjes Logjistike të Komisionit Qendror Ushtarak.
Largimet ndodhin në prag të mbledhjes së përbashkët të rreth 3 000 delegatëve të CPPCC-së dhe të Kongresi Kombëtar i Popullit, organi legjislativ që konsiderohet si miratues formal i vendimeve të Partisë Komuniste. Mandati i tyre pesëvjeçar pritet të përfundojë në mars 2028, çka e bën këtë ndërhyrje në mes të mandatit të pazakontë.
Që nga ardhja në pushtet në vitin 2012, presidenti Xi Jinping ka ndërmarrë një fushatë të gjerë kundër korrupsionit, e cila ka prekur zyrtarë të lartë civilë dhe ushtarakë. Megjithatë, kritikët argumentojnë se këto fushata përdoren gjithashtu për të eliminuar rivalë politikë dhe për të konsoliduar pushtetin.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vetëm javën e kaluar, autoritetet njoftuan shkarkimin e 19 zyrtarëve të tjerë, përfshirë nëntë nga ushtria, ndërsa disa figura të larta ushtarake janë nën hetim për “shkelje serioze të disiplinës dhe ligjit”.

