S*LME TË REJA NË TEHERAN DHE BEJRUT/ Katz: Do të marim zonat strategjike në jug të Libanit
Forcat izraelite kanë ndërmarrë sulme të reja në Teheran dhe Bejrut, ndërsa Hezbollah ka reaguar ndaj bazave izraelite. Situata është përshkallëzuar edhe pas goditjes së ambasadës amerikane në Riad dhe raportimeve për sulme ndaj një baze të SHBA-së në Bahrein. Presidenti Trump ka paralajmëruar goditje edhe më të forta.
Forcat e armatosura izraelite kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore në kryeqytetin iranian, Teheran, si dhe në periferi të Bejrutit, në Liban.
Sipas ushtrisë izraelite, objektivat kanë qenë pozicione dhe infrastruktura ushtarake.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se trupat tokësore do të avancojnë për të marrë zonat strategjike në jug të Libanit, me qëllim ndalimin e sulmeve ndaj komuniteteve izraelite pranë kufirit verior.
Organizata terroriste po paguan dhe do të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë për zjarrin e saj ndaj Izraelit, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, grupi i armatosur libanez Hezbollah ka njoftuar se ka goditur disa baza ushtarake izraelite me raketa dhe dronë, duke e cilësuar ofensivën izraelite si agresion kriminal.
Ambasada amerikane në Riad të Arabisë Saudite u godit nga dy dronë, duke shkaktuar zjarr dhe dëme materiale.
Media shtetërore iraniane raportoi gjithashtu për shkatërrimin e një ndërtese komanduese në një bazë ajrore amerikane në Bahrein, megjithëse Uashingtoni nuk ka konfirmuar zyrtarisht këtë informacion.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për një përballje të zgjatur.
Në të njëjtën linjë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se veprimet ushtarake synojnë eliminimin e kërcënimeve të menjëhershme nga Irani.
Sinkron Ne e dinim se do të kishte një veprim izraelit. Ne e dinim se kjo do të përshpejtonte një sulm kundër forcave amerikane.Dhe ne e dinim se nëse nuk do t'i ndiqnim paraprakisht para se të nisnin ato sulme, do të pësonim viktima më të mëdha dhe ndoshta edhe më shumë të vrarë. Nuk do të jap detajet e përpjekjeve tona taktike, por goditjet më të rënda ende nuk kanë ardhur nga ushtria amerikane.
Në Britaninë e Madhe, kryeministri Keir Starmer u përball me kritika pasi fillimisht refuzoi përdorimin e bazave britanike për sulme ndaj Iranit, përpara se të lejonte përdorimin e tyre për operacione që u cilësuan si mbrojtëse.
Presidenti Trump e kritikoi publikisht qëndrimin britanik.
Sinkron Nuk ka qenë i dobishëm. Nuk e mendova kurrë se do të përballesha me këtë fakt. Nuk mendova kurrë se do ta shihja këtë nga Mbretëria e Bashkuar. Është shumë e trishtueshme të shohësh që marrëdhënia padyshim nuk është ajo që ishte. Franca ka qenë e shkëlqyer. Të gjithë kanë qenë të shkëlqyer, përveç Mbretërisë së Bashkuar, ka qenë shumë ndryshe nga të tjerët.
Departamenti Amerikan i Shtetit po u ka bërë thirrje amerikanëve në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme që të largohen me mjete tregtare për shkak të rreziqeve serioze të sigurisë.
Ndërkohë, pasojat ekonomike po ndihen në mbarë botën.
Sulmet me dronë kanë prekur objekte energjetike në Oman, Katar dhe Arabinë Saudite.
Katari ka ndalur përkohësisht prodhimin e gazit të lëngshëm natyror, ndërsa çmimet e naftës dhe gazit në tregjet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm.
Analistët paralajmërojnë se çdo ndërprerje e zgjatur e furnizimeve nga Gjiri Persik mund të shkaktojë tronditje të reja ekonomike globale.
Ndërkohë, tensionet vazhdojnë të shtohen dhe komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për përmbajtje dhe rikthim në rrugën e diplomacisë.
